Hekurudha Prishtinë – Durrës, arterja e dytë ndërlidhëse e kombit

Fotografi ilustruese

Hekurudha Durrës – Prishtinë do të jetë e gjatë 265 kilometra dhe brenda vitit llogaritet të ketë 1 milionë udhëtarë dhe miliona tonelata mallra në të dyja drejtimet.

Lidhja e pritshme hekurudhore Kosovë-Shqipëri, ose hekurudha Durrës-Prishtinë, që moti është vlerësuar si linjë ndërlidhëse serioze dhe më se e domosdoshme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo hekurudhë po vlerësohet si arterje e dytë e kombit, pas Autostradës së Kombit për ndërlidhjen e shqiptarëve dhe të ekonomive të tyre gjithandej në Kosovë dhe Shqipëri, dhe përtej tyre. Edhe në mbledhjen e 20 qershorit të dy qeverive shqiptare, u potencua shumë rëndësia që do të ketë kjo linjë hekurudhore, sidomos në qarkullimin e mallrave dhe krijimin e konditave optimale për t’u lidhur Kosova me portet detare të Shqipërisë.

Reklama e sponzorizuar

Ministrat e të dyja shteteve, por edhe kryeministrat, goxha të entuziazmuar për projektin e pritshëm, që tash për tash është më shumë se vizion, por që akoma është në fazën e analizave dhe të studimeve projektuese, nuk lanë rast pa shpërfaqur optimizmin e tyre për ndërtimin e këtij projekti të vlerësuar njëzëshëm si ndër më të rëndësishmit në kohët e fundit në të dy vendet.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, siç raportojnë mediat shqiptare, hekurudhën Durrës – Prishtinë e veçoi si projekt me vlera të rëndësishme kombëtare.

“Ndërtimi i hekurudhës Durrës – Prishtinë do të krijojë mundësinë që të gjithë qasjen që Shqipëria ka në Detin Mesdhe, t’ia japi dhe Kosovës”, tha ajo.

“Është një projekt që jo vetëm do të lidhë dy vendet me hekurudhë, por edhe përmes konceptit të dy porteve, portit të Durrësit dhe portit të thatë të Prishtinës. Është një koncept shumë modern që është zbatuar në vende shumë të zhvilluara sa i përket tregtisë”, deklaroi tutje ministrja e Infrastrukturës së Shqipërisë.

Balluku shtoi se mbetet për t’u hapur gara për të pasur një kompani fituese për realizimin e projektit. Pak a shumë këtë përmvajtje kishin edhe prononcimet e ministrit kosovar të Infrastrukturës, Liburn Aliut.

Ai veçmas potencoi rëndësinë që do ta ketë hekurudha Durrës – Prishtinë për qarkullimin e mallrave, por edhe për valorizimin e vlerave ekonomike të të ashtuquajturit Porti i Thatë, që do të ndërtohet te Fushë-Kosova.

Sipas prezantuesit të projektit në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Eric Smit, deri në vitin 2050 pritet të trajtohen deri në 100 mijë kontejnerë në Portin e Thatë në Prishtinë.

“Kemi hekurudhën, Portin e Durrësit dhe atë të Thatë në Prishtinë. Deri në vitin 2050 do të mund të ketë potencial deri në 100 mijë kontejnerë që të trajtohen në Portin e Thatë në Prishtinë”, tha ai.

“Porti i Thatë jep shumë mundësi dhe është një infrastrukturë ideale për ta hequr stresin nga portet detare. Kjo i lehtëson disa pjesë shumë thelbësore të portit detar”, përfundoi Smit.

Ndërsa, Porti i Porto-Romanos, me të cilin do të ndërlidhet hekurudha Durrës-prishtinë, sipas Smit-it, do t’i ketë 400 hektarë sipërfaqe me një kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata. Po ashtu, do të ketë 1 milionë udhëtarë, ku distanca deri në Prishtinë do të jetë 265 kilometra.

Duke folur enkas për projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në llogarinë e tij në Facebook, tha se është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme.

“Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”, tha ai.

Sipas Kurtit, aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë edhe bashkëpunimi institucional në çdo fushë.

“Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, ministrja shqiptare, Balluku, ka parashikuar se hekurudha mund të përfundojë brenda një harku kohor prej 4 vitesh.

A do të realizohet ky projekt i vlerësuar si shumë i rëndësishëm për të dyja vendet mbetet të shihet. Aktualisht, projekti më shumë është ideor dhe tani për tani akoma gjendet në fazën e analizave, studimeve për të gjetur terrenin sa më të përshtatshëm dhe më të favorshëm për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore në gjatësi 265 kilometrash.

Ndërkohë, pasi të hartohet projekti i fizibilitetit dhe të dihet pak a shumë kostoja e realizimit të këtij projekti, që për rrethana ekonomike dhe financiare të të dyja shteteteve, është kolosal, për të përmbushur afatin 4 vjeçar të ndërtimit të hekurudhës Durrës – Prishtinë, duhet angazhim serioz i të dy vendeve, përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar paratë e nevojshme, që gjithsesi, nuk do të jenë të pakta. /Buletini Ekonomik/