Instituti për Politika Zhvillimore- INDEP, vlerëson se një taksë e karbonit do të ishte instrumenti kryesor për reduktimin dhe eliminimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile në Kosovë.
Sipas tyre, taksimi i karbonit është një instrument politikash ku qeveria vendos çmimin e karbonit dhe lejon që tregu të përcaktojë emetimet totale.
Taksa në fjalë targeton lëndët djegëse fosile si benzina, nafta dhe qymyri i përdorur për prodhimin e energjisë, qëllimet e ngrohjes, si dhe lëndët djegëse motorike, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga INDEP thonë se kjo taksë llogaritet në bazë të sasisë së emetimeve të CO2 gjatë djegies së burimeve fosile, masë kjo që bazohet në të ashtuquajturën përmbajtje karboni të lëndëve djegëse fosile.
“Përmes parimit “ndotësi paguan”, taksa e karbonit targeton emetuesit më të mëdhenj të CO2, duke bërë ekonomikisht më pak të favorshme përdorimin e burimeve fosile krahas burimeve të ripërtëritshme”, thuhet në publikimin e fundit të INDEP, me titull “Taksa e karbonit drejt të ardhmes së gjelbër”.
Në bazë të vlerësimeve nga INDEP, taksimi ndaj karbonit ka për qëllim të bëjë më të dukshme kostot sociale “të fshehura” të emetimeve të karbonit, të cilat ndihen në mënyrë direkte apo indirekte, siç janë problemet shëndetësore dhe ndryshimet klimatike. /Buletini Ekonomik/