Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ) ka reaguar ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sipas një njoftimi për media, thuhet se ZRRE në mënyrë të kundërligjshme i ka rritur çmimet e energjisë elektrike duke dëmtuar në mënyrë të ndjeshme buxhetin e konsumatorëve.
KMLDNJ përmes reagimit thotë se këto fatura iu janë shtuar, si fatura të fryra konsumatorëve shqiptarë dhe jo serbë.
“Gjykata e Apelit e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore se ZRRE në mënyrë të kundërligjshme i ka rritur çmimet e energjisë elektrike duke dëmtuar në mënyrë të ndjeshme buxhetin e konsumatorëve, pagues të rregullt ndërsa ka krijuar mundësi pasurimi operatorëve të energjisë elektrike si KEDS dhe KESCO e mos të flasim që më së shumti kanë përfituar serbët dhe të tjerët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe lokacionet tjera të cilët, që nga përfundimi i luftës nuk i kanë paguar shpenzimet për energji elektrike madje ka munguar guximi të bëhet faturimi i shpenzimeve. Natyrisht se këto fatura iu janë shtuar, si fatura të fryra konsumatorëve shqiptarë dhe jo serbë, pagues të rregullt e që ka qenë plaçkitje ordinere e legjitimuar përmes veprimeve prej kusarëve të ZRrE–së që e kanë mundësuar këtë plaçkitje ndërsa në asnjë rast nuk i ka marrë në mbrojtje paguesit e rregullte”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se pas reagimeve të shumta të KMDLNj –së dhe Avokatit të Popullit, ishte formuar një Komision Parlamentar që konstatoi keqpërdorime të ZRrE –së duke urdhëruar që konsumatorët e dëmtuar duhet të zhdëmtohen.
“Natyrisht se ky zhdëmtim pati filluar vetëm simbolikisht ndërsa tani po vazhdohet me praktikat e vjetra madje me qëllim që të dëmtohen edhe më shumë. Vendimi i Gjykatës së Apelit është detyrues për ZRRE-në mirëpo ZRRE me një logjikë prej kusarëve dhe cubave po vazhdon me kryeneçësi të dëmtojë paguesit e rregulltë të energjisë elektrike dhe të favorizojë KEDS dhe KESCO, ndërkaq që nuk ka asnjë reagim institucional që do të mbrojë interesat e ligjshme të konsumatorëve të rregullte”, thuhet në reagim.
KMLDNJ pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ka kërkuar shkarkimin e bordit të ZRRE-së.
“Pas vendimit të Gjykatës së Apelit pa asnjë dyshim duhet të shkarkohet me një procedurë të shpejtuar ZRrE dhe të fillojë një hetim në mënyrë që të pamundësohet vazhdimi i keqpërdorimit dhe dëmtimi i konsumatorëve të rregullt, kurse ata që po i bëjnë këto veprime të kundërligjshme duhet të dalin para drejtësisë”, thuhet më tej në reagim.
KMDLNj –ë kërkon që të gjithë konsumatorët e plaçkitur që nga përfundimi i luftës e deri më sot pavarësisht përkatësisë etnike, të kompensohen duke krijuar kushte jodiskriminuese për të gjithë konsumatorët.
“Ndërkombëtarët që po e përkrahin mënyrën e inkasimit për energjinë e shpenzuar elektrike e që mbështetet në baza etnike dhe oportunitet politik, pa asnjë dyshim janë pjesë e një interesi më të gjerë ekonomik dhe politik përkatësisht këtë po e bëjnë për ta realizuar një projekt politik që do ta finalizonin me një Marrëveshje me Serbinë. Natyrisht se për KMDLNj –ë do të ishte shumë e pranueshme që lirimi eventual nga pagesa të bëhet ekskluzivisht sipas parimit të gjendjes ekonomike dhe në asnjë mënyrë të vazhdohet sipas logjikës së kusarëve të ZRrE –së i cili, jo se nuk po merret në përgjegjësi por po gëzon përkrahje politike”, thuhet ndër të tjera në reagim.