Kurti: Hapet rruga për Vettingun dhe krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një konference për media ka thënë se tashmë është hapur rruga për Vettingun dhe krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë.

Ai bëri të ditur se Komisioni i Venecias ia ka konfirmuar Qeverisë së Kosovës se mund të vazhdohet Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Jam këtu për të prezantuar fillimin e reformës substanciale në sistemin gjyqësor, Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të dy këto të vlerësuara lartë edhe nga Komisioni i Venecias, që Qeverisë së Republikës së Kosovës ia ka falur besimin e plotë profesional për të jetësuar reformën e premtuar”, u shpreh ai.

Reklama e sponzorizuar

Kryeministri Kurti u shpreh se Komisioni i Venecias  i bindi se reformat e propozuara nga qeveria janë adekuate.

“Besimi që kemi marrë nga ju në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar na ka dhënë kurajo në luftimin e krimit, korrupsionit dhe politizimit në gjyqësor, kurse Komisioni i Venecias na bind që reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike”.

Kurti u shpreh se reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave aktual e akterëve momental nuk është i mundur.

Prandaj, sipas tij rivlerësimi dhe verifikimi i aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial po fillon me mekanizma të jashtëm, përcjell Klankosova.tv.

“Reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave aktual e akterëve momental nuk është i mundur, këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionet e pranuara nga Komisioni i Venecias. Nuk ka dyshim qe mekanizmat e ndërtuar kanë potencial të sigurojnë pavarësi, të njëjtën nuk mund ta bëjnë nën drejtimin e gjyqëtarëve dhe prokurorëve të mveshur me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti”.

“Prandaj, rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial e nisim me mekanizma të jashtëm, të pavarurur nga çdo ndërhyrje”, u shpreh Kurti.