Kurti: Në Kosovë ka ende punëtorë që paguhen nën 250 euro

Kryeministri Albin Kurti pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri se në Kosovë nuk ka pagë nën 250 euro, ka thënë se nuk është i vërtet ky pohim.

Kurti gjatë replikës ndaj Tahirit, ka theksuar se ende në vend ka punëtorë, të cilët paguhen nën nivelin e pagës minimale.

“Nuk është e vërtet që në Kosovë nuk ka pagë më të ulët se nën 250 euro. Kjo është arsyeja që paga minimale nuk është rritur më herët, pikërisht se ka pasur paga më të ulëta. Ende ka në Kosovë kamerierë e pastrues që e kanë më të ulët pagën se ajo minimale”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

I pari i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se Projektligji për Pagën Minimale ka kaluar veç në lexim të parë.

“Paga minimale ka kaluar në lexim të parë e është bërë 264 euro bruto, që paraqet një rritje prej 55 për qind përkatësisht në 103 për qind, me qenë se ishin dy nivele të pagës minimale. I gjithë tatimi i pagës minimale largohet”, shtoi ai.

Në fund, Kurti tha se është i gatshëm që t’i takojë përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta.

“Jam për dialog, për të diskutuar për organizatat e dala nga lufta. Unë do t’i takoj veteranët, e nuk është takimi i parë, do t’i takoj sërish. Ajo se çfarë unë po propozoj është që unë ta anulojë takimin e nesërm të Prespës e po i pres bashkë me ministrin e Financave dhe me kryetarin për Buxhet dhe Financa”, përfundoi ai.