Më 30 qershor, Bordi i MCC-së pritet ta aprovojë marrëveshjen me Kosovën

Në mbledhjen e radhës, bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit pritet të aprovoj programin kompakt me Kosovën. Sipas paralajmërimit dhe agjendës së publikuar, mbledhja do të mbahet më datë 30 qershor duke filluar nga ora 10:00, dhe është e mbyllur për publikun.

Ndryshe, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës gjatë muajit mars, të fundit kishin miratuar nismën për negocim të Programit Kompakt në bashkëpunim me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Pas miratimit, Ministrja e Ekonomisë ka zhvilluar negociatat për disejnimin final të programit me MCC, në vizitë zyrtare në SHBA. Negociatat ishin vlerësuar si shumë produktive, raporton Kosovo.Energy.

Reklama e sponzorizuar

Programi Kompakt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh do të përfshijë investime në rezerva dhe arbitrazh të energjisë dhe në zhvillimin e fuqisë punëtore, në veçanti përfshierjen e grave në sektor të energjisë.

202 milion euro është vlera që do të mbulohet nga MCC, ndërsa pjesa e mbetur e fondeve do të mbulohet nga Republika e Kosovës, raporton Kosovo.Energy.

“Është projekt mjaft inovativ i cili sheh drejt së ardhmes e cila do të ketë në njërën anë pavarësimin energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin tonë energjetik, pjesë në të cilën momentalisht po çalojmë, mirëpo këtë synojmë ta ndryshojmë me strategjinë e re”, kishte thënë ministrja Rizvanolli për projektin pas përfundimit të negociatave.

Projekti synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një periudhë të caktuar kohore të akumulohet, në mënyrë që të mund të shfrytëzohet në orët e ditës, kur çmimi dhe kërkesa për energji janë më të larta.

“Që do të thotë se kjo në një masë do ta reduktojë nevojën për import, çka është shumë me rëndësi në kohët që po jetojmë, kur çmimi i importit të energjisë është rritur shumë”, kishte shtuar ajo, raporton Kosovo.Energy.

MCC është agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e krijuar në vitin 2004 nga Kongresi amerikan. E konsideruar shpesh si organizata më transparente në botë, ajo vepron ndaras nga Departamenti i Shtetit dhe USAID-i, dhe bazohet në incentiva për shtetet në zhvillim, ku vetëm ato shtete që plotësojnë kriteret kanë të drejtë për ndihmë.

Kjo agjenci çdo vit ndan grante për shtete me të ardhura të ulëta dhe mesatare për kokë banori, për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe zhdukjen e varfërisë.

Kosova i nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në që prej vitit 2010, por procesi eci ngadalë nga performanca problematike e qeverive kosovare, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme nga Kongresi i SHBA-së, raporton Kosovo.Energy.

Në fakt, procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së u udhëhoq deri vonë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015 kishte themeluar Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.

Më 20 prill 2016, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.