Ministria e Arsimit i kthen sërish në listë të pagave 32 punonjësit serb që për vite me radhë ishin paguar pa shkuar në punë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka rikthyer sërish në listën e pagave 32 punonjës nga komuniteti serb, të cilët për vite me radhë i kishte paguar me mijëra euro pa dalë asnjë ditë të vetme në punë.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj auditues për MASHTI-n, ka konstatuar se shuma totale e shpenzimit të mjeteve nga kjo ministri për këtë kategori punonjësish nga e ashtuquajtura “Mbrojtja Civile’, vetëm gjatë vitit 2021, kishte arritur në 142 mijë e 698 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë në fjalë, këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Të njëjtit pra, nuk kanë vijuar asnjë ditë të vetme në punë, por kanë marrë paga të rregullta mujore që nga viti 2015, kur edhe ishte nënshkruar Marrëveshja e Brukselit, që specifikonte se këta punonjës nga komuniteti serb, duhej të sistemoheshin nëpër institucionet publike të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, në muajt shkurt/mars të vitit 2022, MASHTI si rezultat i mungesës së vijueshmërisë në punë, kishte marrë vendim që zyrtarët e lartë cekur të mos i paguaj. Por, pas reagimit të zyrtarëve, në prill 2022 me një vendim tjetër, MASHTI kishte vendosur që t’i kthehej përsëri në listën e pagave këta zyrtarë.

Gjithashtu, MASHTI kishte vendosur që të bëjë pagesën në mënyrë retroaktive edhe për dy muajt paraparak (shkurt-mars), me arsyetimin se kishin arritur që të siguronin kontaktet e tyre dhe dakordimin për paraqitje në punë. Megjithatë, sipas ZKA-së, deri në fund të auditimit nuk kishte ndonjë dëshmi për vijueshmërinë e këtyre punonjësve në vendin e punës.

Auditori vë në pah se kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet e auditimit. Në këtë rast, ministritë ende nuk kanë arritur të ndërmarrin masa konkrete në krijimin e hapsirave fizike për punë, sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.

Ndërkohë, pagesa e pagave për punonjës që nuk paraqiten në punë, padyshim se shkakton dëmtim të buxhetit të ministrisë si dhe në mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Kosovës.

ZKA i rekomandon ministres së Arsimit se ajo duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. /Buletini Ekonomik/