MINT vazhdon t’i paguajë rregullisht punonjësit serb që nuk dalin në punë që nga viti 2016

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për vite me radhë është duke shpenzuar nga buxheti i saj para të majme për t’i paguar disa punonjës të komunitetit serb, të cilët që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet e tyre, nuk janë paraqitur asnjëherë në punë.  

Vetëm gjatë vitit 2021, kjo ministri ka paguar nga buxheti i saj 127 mijë euro për 25 punëtorë, për të cilët ministria në fjalë nuk posedon kurrfarë dëshmie të vijueshmërisë së tyre në punë, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj auditues për MINT për vitin 2021, ka konstatuar se pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare siç kërkohet me ligj, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë.

Reklama e sponzorizuar

“Këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MINT që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemrimet e tyre. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 127,008€, edhe pse për të njëjtit nuk ka dëshmi të vijimësisë në punë”, thuhet në raport.

Kujtojmë se përmes një vendimi në vitin 2015, Qeveria e Kosovës kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Mbrojta Civile”.

Përmes këtij vendimi, MINT ka qenë e obliguar t’i angazhojë 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.

Por, sipas Ministrisë së Industrisë, mungesa e hapësirave të punës në komunat përkatëse, ishte shkaku kryesor për mos angazhimin e këtyre të punësuarve.

Ndërkohë, Auditori i Përgjithshëm i rekomandon ministres aktuale që t’i ndërmerrë të gjitha veprimet për t’u siguruar kushte pune dhe të sigurohet për vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. /Buletini Ekonomik/