Një formulë e re, si po rritet ekonomia e Indisë?

India ka të ngjarë të jetë ekonomia e madhe me rritjen më të shpejtë në botë këtë vit, shkruan The Economist. A mund të vazhdojë zgjerimi ekonomik?

Sprovat dhe transformimi i ekonomisë së Indisë të kujtojnë Amerikën e shekullit XIX. Po krijohet një treg i gjerë kombëtar, që po i lejon firmat të rriten.

Migrimi i brendshëm po zhvendos me dhjetëra miliona njerëz të varfër; një klasë e re konsumatore po shtohet dhe po ndërtohen kompani të mëdha, të cilat po debatojnë nëse janë Rockefeller-i apo Carnegie-i i Indisë.

Reklama e sponzorizuar

 

Në vitin 2014, kur Narendra Modi nisi mandatin e parë si kryeministër, India ishte ekonomia e dhjetë më e madhe në botë. Në shtatë vitet në vijim, ajo u rrit me 40% (shih grafikun 1). Nga ekonomitë e mëdha, vetëm Kina pati ecurinë më të mirë, me 53% rritje në të njëjtën periudhë.

Rritja prej 8% këtë vit do të jetë më e larta midis vendeve të mëdha, sipas FMN-së. Ajo parashikon që deri në vitin 2027, India do të jetë ekonomia e pestë më e madhe në botë, me një PBB prej rreth 5 trilionë dollarësh me çmimet e tregut.

Për sa i përket madhësisë së bursës, ajo tashmë ka arritur vendin e katërt, pas Amerikës, Kinës dhe Japonisë (shih grafikun 2). Dhe me rreth 100 firma “unicorn” (kompani startup të palistuara me vlerë mbi 1 miliard dollarë), India është e treta pas Amerikës dhe Kinës.

Por pas këtyre shifrave fshihen ulje-ngritje dhe polemika të hidhura. Vendimi i zotit Modi për të anuluar kartëmonedhat me vlerë të lartë në vitin 2016, uli rritjen ekonomike nga 10% në 5% gjatë nëntë muajve në vijim.

Një krizë bankare shkaktoi frikë financiare në vitin 2018, duke ngadalësuar përsëri rritjen ekonomike. Karantinat në gjysmën e parë të vitit 2020, çuan në një rënie të përkohshme të PBB-së me plot një të katërtën.

Megjithatë, ndërsa pandemia po zbehet, dallohen katër shtylla të dukshme që do të mbështesin rritjen e Indisë në dekadën e ardhshme: krijimi i një tregu të vetëm kombëtar; zgjerimi i industrisë për shkak të rritjes së energjisë së rinovueshme; largimi i zinxhirëve të furnizimit nga Kina; si dhe një rrjet sigurie për teknologjinë e lartë.

Kur u zgjodh, Modi premtoi platformën “qeveri minimale, qeverisje maksimale”. Kjo nuk ka qenë shumë e vërtetë. Në Indi, qeveria është ende shumë e pranishme dhe imponuese në fusha të ndryshme dhe kërcënimi që paraqet Modi për natyrën e saj demokratike, i shqetëson vëzhguesit, brenda dhe jashtë vendit. Në të vërtetë, një nga arsyet pse performanca e Indisë nuk është lavdëruar aq shumë, është ngaqë njerëzit nuk duan të mbështesin publikisht zotin Modi.

Por një qasje realiste ndaj gjërave që qeveria mund dhe nuk mund të bëjë, ka dhënë frytet e veta, pavarësisht se kjo qasje është mbështetur në të vërteta, të cilat Modi nuk do t’i pohonte kurrë publikisht. Qeveria e tij ka vënë re se politikat dytësore të zbatuara me forcë, janë më të mira se planet e përkryera që nuk mund të vihen kurrë në jetë.

Ai vepron duke u mbështetur në idenë se vendi mund të industrializohet, por jo aq shpejt sa Azia Lindore. Megjithëse e sheh potencialin te rritja e platformave të teknologjisë, kalimi drejt energjisë së pastër dhe rimodelimi i zinxhirëve të furnizimit në botë, Modi beson se epoka e globalizimit të hapur që u shfrytëzua nga Kina në vitet 1990 dhe 2000, tashmë ka marrë fund. Dhe ai e di se për të fituar zgjedhjet e njëpasnjëshme, ndryshimet e mëdha ekonomike duhet të kombinohen me pëlqimin e votuesve.

Shtylla e parë dhe më e rëndësishme e modelit të ri të rritjes së Indisë, është shfaqja e një tregu të vetëm kombëtar, në të cilin më shumë firma dhe konsumatorë përdorin sistemin modern financiar.

Kjo shtyllë po zëvendëson me shpejtësi tregjet rajonale dhe bizneset informale, që përdorin kryesisht para të gatshme, të cilat përbënin dy të pestat e prodhimit pesë vite më parë. Pjesa më e madhe e reformave dhe investimeve që mbështesin këtë ndryshim, janë përshpejtuar nga zoti Modi.

Infrastruktura është vendimtare. Rrjeti kombëtar i autostradave është 50% më i gjerë se sa ishte në vitin 2014 (ai gjithashtu përdor një sistem dixhital tarifimi për të shmangur trafikun). Numri i pasagjerëve ajrorë vendas është dyfishuar.

Vëllimet e transportit ajror janë rritur me 44%. Ka tre herë më shumë qendra të telefonisë celulare, që u shërbejnë 783 milionë abonentëve. Kompanitë e kapitalit privat të Wall Street po konkurrojnë për të krijuar rrjete deposh në të gjithë Indinë.

Përveç gjithë këtij asfalti dhe betoni është edhe “India stack”, një infrastrukturë unike kombëtare dixhitale, e krijuar nga shteti dhe e mbështetur nga zoti Modi. Kjo përfshin Aadhaar, një sistem identiteti biometrik për të gjithë indianët; një nismë për t’u siguruar që të gjithë të kenë një llogari bankare; dhe një sistem kombëtar pagesash i njohur si UPI.

Një pengesë e madhe për tregtinë midis shteteve është hequr falë miratimit të një takse mbarëkombëtare për mallrat dhe shërbimet (GST), në vend të taksave të shumta lokale. Si rezultat, më shumë biznese po dalin në dritë, duke përdorur bankat moderne dhe duke paguar taksat. Pagesat nëpërmjet UPI janë rritur nga 13% e PBB-së mujore në janar 2020, në 50% në prill 2022. Të ardhurat nga GST arritën ekuivalentin e 8% të PBB-së mujore në prill (shih grafikun 3). Evazioni fiskal po bëhet më i vështirë.

Konkurrenca në një treg kombëtar ka qenë një lajm i keq për firmat më të vogla që vareshin nga shmangia e taksave. Covid-19 i goditi keq edhe ato: sipas disa vlerësimeve, 10-20% kanë dështuar gjatë viteve të fundit. Investimet nga familjet, të cilat drejtojnë shumë biznese të vogla informale, kanë rënë nga 16% e PBB-së një dekadë më parë, në 10%.

Kompanitë më të mëdha që kanë njohje, shkallë dhe zgjuarsi teknologjike, janë rritur. Për shembull, Titan, firma kryesore në tregtinë e bizhuterive, rriti shitjet me një të tretën dhe hapësirën në terren me një të pestën, gjatë pandemisë.

Një kod i ri falimentimi që e bën më të vështirë mbijetesën për firmat “zombie”, po nxit gjithashtu konsolidimin. Formalizimi dhe konsolidimi, nga ana tjetër, pritet të nxisin produktivitetin. McKinsey, një firmë konsulence, vlerëson se 600 firmat kryesore të Indisë janë 11 herë më produktive se mesatarja.

Shtylla e dytë e rritjes së Indisë ka të bëjë me industrinë. India ka ëndërruar prej kohësh të bëhet një fabrikë për gjithë botën. Por pjesa e saj në prodhim ka mbetur në nivelin 17-18% në dekadën e fundit, pasi investimet e korporatave kanë rënë në 9-12% të PBB-së. Vendi zë vetëm 1.9% të eksporteve globale të mallrave.

Një biznes gjithnjë e më i madh

Kompanitë e mëdha, me flukse të mëdha parash, po kërkojnë ta ndryshojnë këtë. Saurabh Mukherjea, nga kompania Marcellus, llogarit se 20 firmat kryesore të Indisë, fitojnë 50% të flukseve monetare të korporatave të Indisë. Ato po fitojnë para mjaftueshëm shpejt, për të ndërmarrë rreziqe me të ardhurat e tyre, në vend që të marrin hua të tepërta.

Gjigantët ambiciozë përfshijnë konglomerate si: Adani (energji, transport), Reliance Industries (telekomunikacion, kimikate, energji, shitje me pakicë), Tata (teknologji informacioni, shitje me pakicë, energji, makina) dhe kompani gjigante më të fokusuara, si JSW (që merret kryesisht me çelikun).

Vetëm këto katër kompani planifikojnë të investojnë më shumë se 250 miliardë dollarë gjatë pesë deri në tetë viteve të ardhshme në infrastrukturë dhe industri; ato synojnë të zhvillojnë zinxhirët e furnizimit lokal, duke i përshtatur me qëllimet e qeverisë.

Mukesh Ambani, nga firma Reliance, thotë se do të ulë çmimin e hidrogjenit të gjelbër në 1 dollar për kilogram, deri në vitin 2030, nga 5 dollarë që është sot. Kompania Tata po prodhon impiante baterish, automjete elektrike dhe gjysmëpërçues. Këto janë nisma të mëdha me rreziqe, që pak firma të tjera do të guxonin t’i ndërmerrnin.

Ka shqetësime për fuqinë e tepërt të korporatave, monopolet dhe, në disa raste, njëanshmërinë falë lidhjeve miqësore.

Nëse firmat fitojnë edhe më shumë fuqi ekonomike nëpërmjet investimeve të tyre, shqetësime të tilla me siguri do të rriten. Megjithatë, për momentin, raporti i fitimeve të këtyre katër firmave ndaj PBB-së kombëtare, është 0.7%, sa gjysma e raportit ekuivalent për katër gjigantët e teknologjisë që janë aktualisht kompanitë më të mëdha të Amerikës. Qeveria duket e kënaqur me biznesin e madh, duke pasur parasysh normat e larta të riinvestimit.

Duke shpresuar të përfitojë nga përpjekjet e firmave shumëkombëshe për t’u diversifikuar larg Kinës, qeveria e zotit Modi do të ofrojë gjithashtu 26 miliardë dollarë në subvencione, gjatë pesë viteve të ardhshme, për investime në 14 industri.

Këto “stimuj të lidhur me prodhimin” të quajtur PLI, paguhen ndërsa rriten të ardhurat e firmave në fusha si panelet diellore, bateritë dhe produktet farmaceutike. Kompanitë Samsung nga Koreja e Jugut dhe Foxconn nga Tajvani, po përdorin stimujt PLI për të prodhuar më shumë telefona celularë në Indi. Kompanitë lokale, si Ola Electric, një degë e një firme të madhe transporti, po përfitojnë gjithashtu prej tyre. Ola ka ndërtuar një fabrikë të madhe skuterash elektronikë, me synimin për t’u bërë një forcë globale.

Qeveria dëshiron të katalizojë prodhimin. Rreziku është që qëllime të tilla, të degjenerojnë në lidhje miqësore të njëanshme dhe proteksionizëm. Megjithatë, pavarësisht se 26 miliardë dollarë përbëjnë vetëm 1% të të gjitha investimeve të pritshme të korporatave gjatë pesë viteve të ardhshme, në një periudhë afatshkurtër, politika po jep efektin e dëshiruar.

Shtylla e tretë e modelit të ri ekonomik mbështetet në një forcë të madhe: teknologjinë. Industria e shërbimeve dhe kontraktimit në Indi, është dyfishuar në madhësi gjatë dekadës së fundit. Të ardhurat e saj vjetore tani arrijnë në 230 miliardë dollarë.

Kjo e ka bërë Indinë eksportuesen e pestë më të madhe në botë të shërbimeve, pavarësisht se është vetëm e 16-ta në mallra. Mungesa globale e inxhinierëve të softuerit dhe fakti që softueri ofrohet gjithnjë e më shumë si shërbim nga cloud, do të thotë se kjo prirje ka të ngjarë të vazhdojë. Vështirësia më e madhe e Indisë tani është gjetja e talenteve. Rreth 5 milionë njerëz tashmë punojnë në teknologji dhe ka një treg të etur për punëtorë të rinj.

Kombinimi i aftësive inxhinierike, të dhënave celulare dhe një grupi kombëtar të teknologjisë, ka krijuar shumë firma startup. Ato kanë kaluar nga ofrimi i tregtisë elektronike, shpërndarjes dhe shërbimeve të udhëtimeve për indianët më të pasur, në kërkimin e mundësive që ndodhen më poshtë piramidës ekonomike.

Dhe kultura teknologjike në Bangalore po nxit një brez të ri firmash inovuese, për shembull në fushën e hapësirës, droneve dhe baterive. Katër firma të tilla që folën për The Economist, përdorin kërkimet dhe zhvillimin vendas dhe po synojnë të eksportojnë më shumë se gjysmën e shitjeve të tyre. Një sistem i pasur me kapital sipërmarrës, mund të financojë firmat gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor.

Tregu i vetëm, politika industriale dhe teknologjia, duket se do të sjellin një rritje ekonomike më të madhe se norma prej 5.4% në bazë vjetore, në tremujorin e fundit të vitit 2021. Një bankier hipotekor thotë: “Nuk kam parë kurrë kaq shumë kërkesë për kredi në 40 vjet”. Kërkesa për automjete elektrike po lulëzon, thotë një prodhues. Shpenzimet kapitale kanë filluar të ringjallen, sipas një indeksi të përpiluar nga CMIE, një firmë analize. Eksportet po rriten.

Çfarë mund të thuhet për vendet e punës?

Punësimi formal po rritet: regjistrimi në skemën kombëtare të sigurimeve shoqërore për punonjësit formalë, është rritur me 19 milionë, duke arritur në 56 milionë, që nga fillimi i vitit 2020. Kjo pasqyron formalizimin e ekonomisë. Përqindja e indianëve të moshës mbi 15 vjeç në punë ishte 55% në vitin 2012, por vetëm 51% në vitin 2020. Rritja e ngadaltë e vendeve të punës, me pak gra në punë, janë probleme të vjetra. Punët e disponueshme shpesh janë të pakënaqshme.

Kjo na çon te shtylla e katërt, mirëqenia dixhitale, me financim për rreth 300 skema për indianët në nevojë. Ky program lejon shpenzime në një shkallë të larta. Deri në mars, pagesat e këtyre skemave arritën në 81 miliardë dollarë, ose 3% e PBB-së, nga 1% katër vite më parë.

Pagesat kanë arritur në 270 miliardë dollarë që nga viti 2017. Rreth 950 milionë njerëz kanë përfituar, që i bie mesatarisht 86 dollarë për person në vit. Kjo është një ndihmë e madhe për familjet në vështirësi: kufiri i varfërisë ekstreme të Indisë është rreth 250 dollarë për person në vit, me kursin e këmbimit të tregut. Zoti Modi nuk ka arritur të nxisë një bum kombëtar të vendeve të punës, por ai ka krijuar një lloj rrjeti kombëtar sigurie.

Më shumë para për indianët

Këto katër shtylla mund të mbështesin një transformim të ekonomisë së Indisë në dekadën e ardhshme. Do të kishte një bërthamë firmash shumë produktive. Shërbimet dixhitale nënkuptojnë se konsumi i shumicës së njerëzve u përcoll në mënyrë efikase në ekonominë formale (edhe nëse punët e tyre mbeten joformale), duke rritur produktivitetin dhe duke kanalizuar fondet në sistemin bankar.

E gjithë kjo do të tatohet, duke i lejuar qeverisë të paguajë për rishpërndarjen, duke përdorur sistemin e mirëqenies sociale, për të ndihmuar një masë të madhe njerëzish të pakualifikuar dhe të papunë.

Një rrezik për këtë vizion është paqëndrueshmëria ekonomike. India është e varur nga flukset hyrëse të kapitalit për të financuar deficitin e llogarisë korente. Megjithëse përdor pothuajse një të pestën më pak naftë për njësi të PBB-së sesa një dekadë më parë, pothuajse e gjithë kjo naftë importohet.

Kur normat e interesit dhe çmimet e mallrave rriten, vendi zakonisht fillon të vuajë. Shpenzimet për mirëqenien sociale kanë rritur deficitin buxhetor në 10% të PBB-së dhe borxhin publik në 87% të PBB-së. Më 4 maj, Banka Qendrore e Indisë rriti normat e interesit nga 4% në 4.4%, në përgjigje të inflacionit dhe shtrëngimit të politikës monetare.

Sidoqoftë, sistemi financiar është më elastik se më parë. Më në fund janë pastruar borxhet e këqija të bankave. Një grup në rritje investitorësh vendas ofrojnë qëndrueshmëri nëse të huajt ndihen të detyruar të largohen. Dhe formalizimi i ekonomisë i jep qeverisë më shumë ndikim në rritjen e taksave.

Një rrezik tjetër është stili i sundimit të zotit Modi. Biznesmenët e dinë se ai nuk është paraardhësi i gjithçkaje që po funksionon mirë tani; nuk e nisi ai nxitjen teknologjike, ndërtimin e rrugëve apo ardhjen e firmave “unicorn”. Por ata shohin një qeveri që është më pak e korruptuar se paraardhësi i saj.

Për më tepër, mbizotërimi i tij politik siguron vazhdimësi. “Ai nuk është një gjeni për ide të reja, por është i hapur”, thotë themeluesi i një kompanie. “Modi është i gatshëm të luftojë për të arritur qëllimet e tij”.

Megjithatë, kjo prirje për vendime të shpejta dhe më të mira ka kosto. Ajo përkeqëson problemet e pazgjidhshme. Pavarësisht rritjes së investimeve private në energjinë e rinovueshme, firmat shtetërore që shpërndajnë energjinë elektrike po falimentojnë dhe furnizimi nuk është i besueshëm. Arsimi mbetet i dobët.

Megjithëse regjistrimi në shkolla ka arritur në mbi 90% për fëmijët nën 16 vjeç, shumë prej tyre e lënë shkollën me një nivel shumë të dobët shkrim-leximi. Mirëqenia më efikase nuk mund të jetë zëvendësim për një sistem në të cilin njerëzit janë më të aftë të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Ka aspekte të tjera shqetësuese në mentalitetin e zotit Modi. Ideologjia e mbështetjes te vetvetja mund të shndërrohet në proteksionizëm të plotë. Kultura e frikësimit që ajo nxit në botën politike, mund të bëhet gjithashtu një tipar më i gjerë i botës së biznesit. Kjo tashmë ka ngacmuar shtypin dhe ka dëmtuar pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Deri tani, ekonomia duket se ka qenë e izoluar nga tensionet fetare që partia në pushtet BJP, i rrit vazhdimisht për të mbajtur veten në pushtet. Kjo nuk është asgjë e re. Në vitin 2002, kur ndodhi sulmi i dhunshëm i natyrës fetare, mbi 1000 njerëz, shumica e të cilëve myslimanë, u vranë gjatë trazirave në shtetin Gujarat.

Por ekonomia nuk u ndikua nga këto trazira: tregu kombëtar i aksioneve ra me 4% për një ditë dhe më pas u rimëkëmb sërish. PBB-ja e shtetit Gujarat u rrit me 8% vitin e ardhshëm, dy herë më shpejt se ekonomia kombëtare indiane, një rritje e cila e ndihmoi zotin Modi, atëherë kryeministër i shtetit, të ngrihej në detyrën e tij aktuale.

Ndryshe nga kinezët etnikë në Indonezi, pakica e persekutuar myslimane e Indisë nuk ka një rol joproporcional në biznes. Përjashtimi i tyre pasqyron diskriminim. Por ekziston edhe mundësia që dhuna sektare të kthehet në një shkallë të gjerë.

Dhe shovinizmi i zotit Modi mund të dëmtojë ekonominë, duke destabilizuar sistemin federal. Promovimi i gjuhës Hindu si gjuha kombëtare, është pritur keq në jug të vendit dhe në Maharashtra, rajone të cilat kanë mjaft peshë ekonomike. Një rishikim i mundshëm i vendeve parlamentare të Indisë, mund të rrisë tensionet rajonale. Prirja e qeverisë për të sulmuar rivalët, mund të errësojë problemet dhe të nxisë korrupsionin.

Modi dëshiron të risjellë madhështinë indiane. Sipas tij, kjo përfshin jo vetëm forcimin e krenarisë së hinduizmit në kurriz të pakicave, por edhe ndërtimin e një ekonomie të madhe, të integruar dhe të mbështetur në teknologjinë e lartë.

Deri tani, këto dy ambicie janë ndërthurur së bashku, por mund të mos jetë gjithmonë kështu. Kompanitë e mëdha teknologjike indiane shpresojnë që modernizimi dhe bashkimi ekonomik i vendit, do t’i mbijetojë politikës së tij përçarëse. /Monitor.al/