Porti në Porto-Romano i integruar në hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe me Portin e Thatë në Kosovë

Në takimin sotshëm midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që u mbajt në Prishtinë, ndër të tjera është prezantuar edhe projekti i ndërtimit të projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Sipas prezantuesit të projektit, Eric Smit nëse ky port do të realizohet Kosova dhe Shqipëria do të ndryshojnë lojën në Ballkan.

“Nëse ky port do të ndërtohej, do ta ndryshojnë lojën jo vetëm për dy shtetet, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Smit nga Royal Haskoning DHV, shkruan Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Kurse, deri në vitin 2050 pritet të trajtohen deri në 100 mijë kontejnerë në Portin e Thatë në Prishtinë.

“Kemi hekurudhën, Portin e Durrësit dhe atë të Thatë në Prishtinë. Deri në vitin 2050 do të mund të ketë potencial deri në 100 mijë kontejnerë që të trajtohen në Portin e Thatë në Prishtinë”, shtoi ai.

“Porti i Thatë jep shumë mundësi dhe është një infrastrukturë ideale për ta hequr stresin nga portet detare. Kjo i lehtëson disa pjesë shumë thelbësore të portit detar”, përfundoi Smit.

Porti i Porto-Romanos do t’i ketë 400 hektarë sipërfaqe me një kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata.

Po ashtu, do të ketë 1 milionë udhëtarë, ku distanca deri në Prishtinë do të jetë 265 kilometra.