Rreth 15 projekte zhvillimore në bujqësi, të cilat i ka subvencionuar Ministria e Bujqësisë, duke iu dhënë fermerëve pajisje si traktor e panele solare, si dhe duke kryer pagesa për kontribute të puntorëve, me qëllim të zhvillimit të bujqësisë në zonat rurale, tashmë pas tri vitesh nga përfundimi i investimit, janë jo aktive.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e sj auditues për vitin 2021 për MBPZHR-në, ka theksuar se ka hasur dobësi në menaxhimin e kontrolleve Ex-Post nga kjo ministri, përcjell Buletini Ekonomik.
Në sektorin e bujqësisë, ekziston Ex-post kontrolla, e cila ka për qëllim kontrollomin e projektit në një periudhë kohore prej tre vjetësh pas përfundimit të investimit, për të parë nëse përfituesi ka ruajtur qëllimin e investimit dhe të gjitha kushtet sipas të cilave ai është përzgjedhur fitues.
Drejtorati i Kontrollit që funksionon brenda Ministrisë së Bujqësisë, kishte realizuar kontrolla Ex-post tek 486 përfitues, me qëllim verifikimin dhe monitorimin e implementimit të projekteve të zhvillimit të bujqësisë.
Por, tek 15 mostra që i janë dhënë ZKA-së për kontrollim, është vërtetuar se këto biznese ishin jo aktive, dhe mungonin pajisjet e përfituara si traktori, panelet solare, pagesat e kontributeve të punëtorëve, etj. Pra, nuk është ruajtur qëllimi i investimit për të cilin janë përzgjedhur edhe përfitues.
Sipas Udhëzimit Administrativ për Masat dhe kriteret e përkrahjes për zhvillim rural për vitin 2018, në nenin 6, pika 1.4, përcaktohet se periudha monitoruese është tre vjet, por nëse nuk mirëmbahet investimi, atëherë përfituesi është i obliguar që ta kthejë shumën e financuar të përkrahjes publike.
Sipas ministrisë, kjo kishte ndodhur për shkak të volumit të madh të punëve në Drejtoratin e Autorizimit, si dhe mungesës së stafit përgjatë vitit 2021.
Por, pavarësisht parregullsive të vërejtura, Drejtorati i Autorizimit, si departament përgjegjës deri në kohën sa ZKA ishte në auditim (04/03/2022) nuk kishte ndërmarrë veprime për kthimin e mjeteve, megjithatëmë vonë, sipas ZKA-së, AZHB-ja kishte bërë kërkesa ndaj përfituesve për përmbushjen e obligimeve ligjore dhe kontraktuale.
E mungesa e zbatimit të projekteve sipas marrëveshjes dhe mos ndërmarrja e veprimeve për kthimin e mjeteve, rritë rrezikun që ministria të paguajë për aktivitete që nuk përkojnë me objektivat e ministrisë dhe ndikojnë në shfrytëzimin e tyre për qëllime tjera nga ato të synuara.
Auditori rekomandon që ministri duhet të sigurohet se të gjitha raportet e kontrolles Ex-post të përcillen me veprime konkrete në kohën e paraparë për monitorimin e tyre. Kurse, në rastet e mos përmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga përfituesit, të ndërmerren masat për pezullimin dhe kthimin e mjeteve siç kërkohet me marrëveshje. /Buletini Ekonomik/