Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka rritur ndjeshëm nivelin e borxhit publik, e sidomos peshën e borxhit të jashtëm. “Kjo rritje e peshës së borxhit të jashtëm ka ardhur kryesisht nga rritja e përqendrimit të titujve ndërkombëtarë, duke reflektuar politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm dhe stimuluar kreditimin e sektorit privat” shkruhet në strategjinë e re të qeverisë për borxhin publik që është në fazë konsultimi.
Por si është kompozuar portofoli i borxhit të jashtëm të Shqipërisë?
Në këtë portofol, peshën më të madhe e mbajnë kreditë për financimin e projekteve nga kreditorët dypalësh dhe shumëpalësh. Ndërkohë, pesha e titujve të borxhit në tregjet ndërkombëtare (Eurobondi) nga viti 2017-2021 është rritur me 21.3 pikë përqindje.
Për sa i përket kompozimit të portofolit sipas valutave, pjesën më të madhe të portofolit të borxhit shtetëror, mbi 50% të totalit, e zë valuta vendase, ndjekur nga valuta EUR dhe USD. Ndërkohë, portofoli i borxhit të jashtëm kompozohet tërësisht nga valuta të huaja, ku mbizotëron mbi 70% valuta EURO, e ndjekur nga dollari amerikan( USD).
Gjatë viteve të fundit, vihet re një rritje e peshës së monedhës Euro në portofol, si rezultat i emetimit të Eurobondit në monedhën Euro, dhe disbursimit të disa mbështetjeve buxhetore ne monedhën Euro. Përqendrimi i portofolit kryesisht në monedhën Euro, sipas qeverisë, është në përputhje me politikat e vendit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Në fund të vitit 2021, sikurse deklaron qeveria në strategjinë e re, borxhi publik shënoi nivelin prej 73.2% e PBB ku ky nivel ka hasur një rritje të konsiderueshme në dy vitet e fundit.
Pse është rritur borxhi i jashtëm vitet e fundit
Kjo rritje e peshës së borxhit të jashtëm ka ardhur kryesisht nga rritja e përqendrimit të titujve ndërkombëtarë, duke reflektuar politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm dhe stimuluar kreditimin e sektorit privat”./Scan TV/