Rama: Brenda pak ditësh do të propozojmë taksim zero për pagat deri në 50 mijë lekë

Së shpejti qeveria shqiptare do të propozojë taksim zero për pagat deri në 50 mijë lekë. Këtë bëri me dije kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Më herët sipas draftit fillesar nuk do ti nënshtroheshin tatimit mbi të ardhurat pagat deri në 40 mijë lekë, por kryeministri shtoi se do të propozohet një ndryshim brenda pak ditësh, që zerimi të shtrihet në pagat deri në 50 mijë lekë.

“E kam dëgjuar që ju thonë që ne taksojmë punën më shumë se kapitali dhe se ne e paskemi taksimin më të lartin në rajon. E kundërta është e vërtetë. Puna në Shqipëri taksohet më pak se në të gjithë rajonin dhe shkon në maksimumin në 5.5%, ashtu si kundër Shqipëria ka taksat më të ulta në rajon. Nuk ka në rajon biznes të vogël me zero taksë, me zero TVSH.

Reklama e sponzorizuar

Nuk ka në rajon taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra. Dhe së shpejti, brenda pak ditësh ne do të sjellim propozimin për të zeruar deri në 500 mijë lekë, do të shkojmë përtej angazhimit për ta përgjysmuar.

Kur ne kemi marrë detyrën të regjistruar në total në punë ishin 349 mijë persona. Sot të regjistruar janë 707 mijë persona, nga të cilët 523 mijë janë sektor privat. Atëherë si dalin llogaritë që paska rënë puna e ka marrë të përpjetën papunësia. Po flas për shifra të nxjerra nga regjistrat. Paga mesatare mujore në sektorin privat është rritur me 10.5 përqind. Këto janë shifra për ju që lexoni, janë fakte të institucioneve.”, tha Rama.

Tabaku: Duhet një paketë e re rezistence, qeveria të rishikojë buxhetin

“Sot borxhi publik ka shkuar pothuajse treshifror. Qeveria shqiptare duhet të kishte ardhur me buxhet të rishikuar, me paketë të re të mbrojtjes sociale. Duhet të kishin ndryshuar disa prioritete. Dëgjova me interes faktin që INSTAT ka prodhuar shifra lidhur me punësimin më të lartë ndonjëherë të shqiptarëve, të njëjtat institucione kanë prodhuar shifra për emigracionin më të lartë të shqiptarëve.

Sa është forca e punës sot? Nëse Shqipëria zbrazet, është e kotë të thoni që është rritur punësimin se me një Shqipëri të zbrazur vetëm socialistët do punësohen nuk ka kush punësohet tjetër. Shpresoj që guvernatori, disa nga shqetësimet që unë ngrita dhe që i kam diskutuar edhe me të, t’i marrë parasysh, jo se jam opozitë dhe çdo gjë të bardhë dua ta bëj të zezë, jo se s’më pëlqen asgjë, por e shoh me shqetësim të ardhmen e financave publike se Edi Rama sot është po nesër nuk është”, deklaroi deputetja e PD, Jorida Tabaku.