Fitimi i sektorit bankar u zgjerua më tej gjatë muajit prill, por ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi neto i sistemit bankar për periudhën janar-prill arriti vlerën e 4.88 miliardë, duke u rritur me rreth 1.6 miliardë lekë krahasuar me fitimin e tremujorit. Megjithatë, ky rezultat financiar është më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me 26% më pak.
Në fund të prillit, kthimi nga kapitali aksioner, mesatarizuar me bazë vjetore, është rritur në 8.18%, nga 7.36% që kishet qenë në fund të marsit. Por, edhe ky tregues paraqitet në nivele më të ulëta krahasuar me një vit më parë, kur shënonte nivelin 11.98%.
Edhe kthimi nga aktivet këtë vit paraqitet në rënie, në nivelin 0.9%, nga 1.28% që kishte qenë në të njëjtën priudhë të vitit të kaluar.
Rezultatet e mësipërme bazohen në metodën e raportimit sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë. Këto raportime kanë një karakter orientues për performancën e sektorit, por standardi ligjor është raportimi me Standardet Ndërkombëtare të Raportimi Financiar (IFRS) që bankat e kryejnë me frekuencë tremujore, nëpërmjet Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Sidoqoftë, rënia e fitimeve sipas standardeve lokale jep një ide të sfidave me të cilat sektori bankar ka nisur të përballet, për shkak të rritjes së shpejtë të inflacionit në ekonominë botërore, duke filluar nga fundi i vitit të kaluar. Inflacioni i lartë ka sjellë një ndryshim në kahun e politikës monetare për shumicën e bankave qendrore të Botës.
Rritja e normave bazë të interesit është shoqëruar me një rritje të yield-eve të instrumenteve financiare. Për instrumentet në valutë rritja ka nisur qysh vitin e kaluar, ndërsa për lekun ajo është bërë e prekshme sidomos pas muajit mars, kur Banka e Shqipërisë rriti normën bazë për herë të parë në një dekadë.
Rritja e yield-eve ka sjellë zhvlerësim të instrumenteve financiare të mbajtura për shitje nga bankat tregtare në Shqipëri dhe ky vlerësohet se është faktori me ndikimin kryesor në uljen e fitimeve në muajt e parë të vitit 2022.
Gjatë muajit prill, Bnaka e Shqipërisë raportoi edhe një rritje të lehtë të treguesit të kreidve me probleme në 5.42%, nga 5.24% që kishte qenë në mars. Kjo është rritja e parë e raportit të kredive me probleme në ekonomi qysh prej janarit 2021 dhe i detyrohet kryesisht kredive të veçanta, të kompanive të angazhuara për ndërtimin e inceneratorëve. Shtimi i kredive me probleme shoqërohet me rritje të provigjioneve, çka e ndikon negativisht rezultatin financiar të sektorit.
Për momentin, bankierët nuk vërejnë përkeqësim të aftësisë paguese dhe ulje të cilësisë së portoflit të kredisë në përgjithësi. Megjithatë, inflacioni i lartë dhe zhvendosja në rritje e normave të interesit ngelen sfida për ekonominë dhe sektorin financiar, me një ndikim potencial në të ardhmen edhe në ecuirinë e huadhënies dhe raportit të kreidve me probleme.