Në Kuvendin e Kosovës nuk ka pasur kuorum që projektligji për pagën minimale të miratohet në lexim të parë, raporton Gazeta Express.
“Vetëm 51 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Deputetët opozitarë thirrën “marre” kur deputetët e mazhorancës i ngritën duart për të votuar PRO miratimit të këtij projektligji, nga i cili u lanë jashtë veteranët e UÇK-së, të cilët po protestojnë para Kuvendit.
Veteranët e UÇK-së u mblodhën te dyert e Kuvendit dhe tentuan të futen brenda. Ata po protestojnë në kryeqytet që nga ora 10:00.
Pika e parë e seancën së sotme të Kuvendit është e papranueshme për ta. Veteranët ndihen të indinjuar që Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale.