10 vjet pasi shpëtoi eurozonën, “Super Mario” Draghi mund të jetë njeriu që do ta zhysë atë përsëri në krizë

Mario Draghi

Këtë javë bëhen 10 vjet që nga dita e mbarimit të krizës së borxhit në eurozonë, por asnjë shampanjë nuk do të hapet me këtë rast, pasi ky përvjetor mund të shënojë shumë mirë fillimin e një krize të re.

Në qendër të kësaj situate dramatike qëndron Mario Draghi, kryeministri i Italisë, i cili, në rolin e tij të mëparshëm si president i Bankës Qendrore Europiane, shpëtoi bashkimin monetar të Europës nga asgjësimi një dekadë më parë.

Të mërkurën e kaluar, tre nga partnerët më të mëdhenj të koalicionit e braktisën atë, pasi refuzuan të mbështesin axhendën e tij reformuese. Me këtë akt, ata i dhanë fund martesës së tyre politike 18-mujore, duke rrëzuar qeverinë e unitetit kombëtar të Draghit vetëm dy javë pasi rajoni u trondit nga lajmet se homologu i tij në Mbretërinë e Bashkuar, Boris Johnson, u detyrua të jepte dorëheqjen.

Reklama e sponzorizuar
Momenti i papёrshtatshёm

Draghi dhe partnerët e tij të koalicionit nuk mund të kishin zgjedhur dot një kohë më të keqe se kjo për të shkaktuar një krizë në vendin e dytë për borxhin më të lartë në Europë.

Rezervat e karburantit po mbarojnë, ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë në kufirin lindor të BE-së, e cila po bllokon furnizimet, duke e bërë racionimin për bizneset këtë dimër një mundësi gjithnjë e më reale. Investitorët gjithashtu kanë reduktuar përdorimin e euros, duke e çuar atë në nivelin më të ulët të dy dekadave kundrejt dollarit.

“Në këtë ditë çmendurie, Parlamenti vendosi të veprojë kundër Italisë”, shkroi Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, e cila e mbështeti Draghin deri në fundin e hidhur. Komisioneri i ekonomisë në BE, italiani Paolo Gentiloni, e cilësoi largimin e tre partive qeverisëse si “stuhinë e përsosur”.

Në një kontinent që besohet se po shkon drejt recesionit, Italia konsiderohet gjerësisht si mina me sahat, pasi borxhi po arrin në 150% të produktit të brendshëm bruto. Dhe, liderja e re e ekstremit të djathtë, me qëndrime armiqësore ndaj Europës, Giorgia Meloni, do të jetë potencialisht drejtuesja e ardhshme e vendit.

“Rreziqet për eurozonën janë shumë reale,” shkroi Nouriel Roubini, një ekonomist i famshëm për parashikimin e krizës së sub-primeve. “Italia është një nga shqetësimet kryesore, me potencialin e ulët për rritje ekonomike, me deficitet e mëdha dhe me borxhin e madh publik.”

‘Me çdo kusht’

Rënia formale e qeverisë së Draghit të enjten kërcënon ta vendosë punëdhënësin e mëparshëm të tij, Bankën Qendrore Europiane, në një pozitë të pasigurt.

E mbytur nga 2.7 trilionë euro detyrime në fillim të këtij viti, Italia u detyrohet investitorëve më shumë para sesa Gjermania, e cila është shumë më e madhe. Presioni do të rritet në mënyrë të pashmangshme, derisa BQE-ja të luajë rolin e zjarrfikësit duke u futur në lojë si blerësi i fundit dhe duke financuar shpenzimet e qeverisë me euro të sapokrijuara. Meqenëse kjo rrezikon shkeljen e traktateve të BE-së, mund të sillte një tjetër sfidë ligjore në gjykatën kushtetuese të Gjermanisë.

Robin Brooks, kryeekonomist në Institutin e Financave Ndërkombëtare, parashikon se BQE-ja nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërmarrë rrugën e rezistencës më të vogël dhe të shpëtojë vende si Italia.

“Kush do të dëshironte një përsëritje të krizës së borxhit të viteve 2011-2012, në fund të fundit?” shkruajti ish-eksperti i këmbimit valutor në Goldman Sachs.

Ekonomisti kryesor i Berenberg Bank, Holger Schmieding është dakord me këtë pretendim. “Nëse një qeveri e re e mundshme në Itali nuk do të ndiqte me vendosmëri politika anti-BE ose anti-euro, gjë që duket e pamundur të ndodhë, Italia do të merrte mbështetjen e nevojshme.”/Fortune/