Abdixhiku: Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje në shoqërinë tonë

Lumir Abdixhiku- Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar me kritika për mospunë për Qeverinë Kurti. Sipas tij, Qeveria po ka “fukarallëk mendor” gjë që po çon në tkurrjen e shoqërisë.

“Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të shtunën.

Kreu i LDK-së hodhi akuza të rënda për realizimin e investimeve kapitale gjatë kësaj qeverisje, që sipas një hulumtimi të Institutit GAP, është më i ulëti në dekadën e fundit.

Reklama e sponzorizuar

“Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë. Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Abdixhikut, “Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale”.

“S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike”.

Instituti GAP të premten publikoi një grafikë për shpenzimin e buxhetit në investime kapitale për periudhën janar – qershor. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria Kurti, sipas GAP-it, kishte shpenzuar vetëm nëntë për qind të buxhetit në investime kapitale, shifra më e ulët në 10 vjetët e fundit.