Afrohet recesioni në Gjermani

Ekonomistët paralajmërojnë një rënie ekonomike për Gjermaninë, pasi çmimet e larta dhe kërcënimi i mungesës së gazit po rëndojnë mbi ekonominë.

Besimi i bizneseve në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët të dy viteve, duke dhënë kështu shenjat më të fundit se ekonomia më e madhe e Europës po shkon në prag të recesionit.

Kompanitë në të gjithë Gjermaninë kanë pritshmëri më të zymta për situatën e tyre aktuale dhe për perspektivën e gjashtë muajve të ardhshëm, sipas indeksit të besimit të bizneseve që monitorohet nga Institutit Ifo. Indeksi i këtij instituti ra gjatë korrikut në 88.6, nga 92.2 që ishte në qershor, duke shënuar nivelin e tij më të ulët që nga qershori i vitit 2020.

Reklama e sponzorizuar

Gjermania është goditur rëndë nga rritja e çmimeve dhe nga kriza e gazit rus, e cila kërcënon të ndalojë prodhimin në disa prej centraleve industriale të vendit gjatë muajve të dimrit.

Shifrat e produktit të brendshëm bruto për tremujorin e dytë do të publikohen të premten dhe pritet që të tregojnë një rritje ekonomike prej vetëm 0.1 për qind, sipas ekonomistëve të anketuar nga Reuters. Ekonomia u rrit me 0.2 për qind në tremujorin e parë, pas tkurrjes me 0.3 për qind në tre muajt e fundit të vitit 2021.

Rezultatet e Ifo ishin më të këqija sesa pritej nga ekonomistët e anketuar nga Reuters, të cilët mesatarisht parashikonin se indeksi do të binte në 90.5. “Çmimet e larta të energjisë dhe kërcënimi i mungesës së furnizimeve me gaz po rëndojnë ekonominë,” tha Clemens Fuest, president i Ifo, duke shtuar se ekonomia më e madhe e eurozonës ishte “në prag” të një recesioni – i cili përkufizohet si dy tremujorë të njëpasnjëshëm me rritje negative.

Pritshmëritë e zymta midis 9,000 bizneseve gjermane të anketuara nga instituti me bazë në Mynih ishin të gjithëpërhapura. Fuest tha se besimi kishte “rënë me shpejtësi” në mesin e prodhuesve, ndërkohë që ishte “përkeqësuar ndjeshëm” në mesin e ofruesve të shërbimeve, ishte “zbutur” për tregtarët me pakicë dhe ishte “përkeqësuar” në sektorin e ndërtimit.

“Kjo gjendje preku edhe turizmin dhe hotelerinë, pavarësisht optimizmit të madh gjatë kohëve të fundit në këto sektorë,” tha ai, duke shtuar: “Asnjë segment i vetëm i retail-it nuk është optimist për të ardhmen.”

Carsten Brzeski, kreu i kërkimeve makroekonomike në bankën holandeze ING, tha se ai priste që PBB-ja gjermane të tkurret në tremujorin e dytë, nën presionin e mungesës së gazit dhe rritjes së çmimeve. “Në skenarin bazë, me problemet e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit, me pasigurinë dhe çmimet e larta të energjisë dhe të mallrave si rezultat i luftës në Ukrainë, ekonomia gjermane do të shkojë drejt një recesioni teknik”, tha Brzeski.

Një sondazh i publikuar të hënën nga shoqata DIHK e dhomave gjermane të tregtisë dhe industrisë zbuloi se 16 për qind e kompanive prodhuese thanë se do t’i përgjigjeshin rritjes së çmimeve të energjisë duke ulur prodhimin e tyre ose duke braktisur pjesërisht disa fusha të biznesit.

“Këto janë shifra alarmante,” tha presidenti i DIHK, Peter Adrian. “Ato tregojnë se çmimet e larta të energjisë janë një barrë për vendin tonë. Shumë kompani nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të mbyllin aktivitetin ose të zhvendosin prodhimin në vende të tjera.”

Rënia e indeksit Ifo pasqyroi rezultatet po aq të dobëta nga një sondazh i menaxherëve të blerjeve, të kryer nga S&P Global, i cili tregoi se bizneset gjermane kishin pësuar rënien më të madhe të aktivitetit në më shumë se dy vite gjatë korrikut.

“Ekonomia gjermane ka filluar ndoshta të jetë në një rënie”, tha Jörg Krämer, kryeekonomist në bankën gjermane Commerzbank. “Fatkeqësisht, gjendja se sa keq do të përfundojnë gjërat është kryesisht në duart e presidentit rus, Vladimir Putin. Nëse do të kishte një ndalesë të plotë të furnizimeve me gaz, një recesion i thellë do të ishte i pashmangshëm.”

Banka qendrore gjermane paralajmëroi në prill se ndalimi i menjëhershëm i importeve të gazit nga Rusia do të reduktonte me 5 pikë përqindjeje PBB-në gjermane.

Rusia tashmë ka ulur eksportet e gazit në Europë, pas rritjes së tensioneve midis Moskës dhe perëndimit në lidhje me luftën në Ukrainë. Berlini muajin e kaluar nisi fazën e dytë të planit të tij kombëtar të emergjencës së gazit, një veprim që e solli atë një hap më afër racionimit të furnizimeve.

Çmimet e konsumit në Gjermani u rritën me 8.2 për qind në qershor, të nxitura nga rritja e kostove të energjisë dhe të ushqimit, pavarësisht efektit frenues që patën te rritja e çmimeve transporti publik dhe subvencionet e karburantit nga qeveria.

“Inflacioni i lartë tashmë po rëndon mbi kërkesën e konsumatorëve, ndërkohë që po afrohen kërcënimet nga normat e larta të interesit dhe racionimi i gazit”, tha Jessica Hinds, ekonomiste për Europën në grupin kërkimor Capital Economics. “Gjermania duket se do të bjerë në një recesion më të thellë se shumica e vendeve të tjera gjatë muajve të ardhshëm.”

Ekonomistët janë gjithashtu të shqetësuar se moti i thatë i kohëve të fundit ka ulur nivelin e ujit në lumenjtë kryesorë të Gjermanisë, duke iu afruar niveleve rekord të ulëta që u arritën gjatë thatësirës së vitit 2018, e cila solli ndërprerjen e transportit në Rhine dhe goditi ekonominë e vendit. /Financial Times/