Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë marrë disa vendime për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore që i menaxhon.
Bordi me këtë rast ka shqyrtuar raportin mujor të Menaxhmentit për periudhën paraprake duke përfshirë raportin mujor për Ndërmarrjen Shoqërore “Brezovica”, e cila është nën administrim direkt, si dhe është shqyrtuar raporti përfundimtar i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Fondet në Mirëbesim të Agjencisë për vitin 2021 dhe njëkohësisht është miratuar Planin për Zbatimin e Rekomandimeve të ZKA-së.
Në këtë mbledhje të Bordit të AKP-së janë miratuar edhe disa kërkesa të Komunave për tërheqje të aseteve nga shitja SHAL 57 dhe është udhëzuar menaxhmenti që edhe njëherë t’i njoftojë të gjitha komunat e Kosovës ku planifikohen shitjet e aseteve, se kërkesat për tërheqje nga shitja duhet të pasohen me veprimet si në vazhdim:
-Brenda afatit 2 mujor nga njoftimi, Komuna duhet të njoftojë AKP-në që Asambleja Komunale ka marrë vendim për shpalljen e zonës së interesit të përgjithshëm publik për asetin të cilin planifikon ta shpronësojë, dhe duhet të dorëzojë kërkesën në ministrinë përkatëse për të iniciuar procedurat për shpronësimin për secilin aset që ka shpreh interes publik komuna përmes një vendimi të tillë.
-Ndërsa, brenda një periudhe 6 mujore nga njoftimi, duhet të nxirret vendimi preliminar i shpronësimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të njoftohet AKP-ja.
Nëse këto afate nuk respektohen, AKP-ja thotë se është e detyruar që këto asete t’i rivendosë në procedurat e tenderimit publik për shkak të strategjisë për përmbylljen e proceseve kryesore të AKP-së dhe obligimeve ligjore për realizimin e pagesave të 20% dhe kreditorëve.
Pra Bordi i AKP-së sot ka miratuar transaksionet e shitjes me tender publik për valën SHAL 56, si dhe ka miratuar listën e aseteve në likuidim për vendosje në tender publik për valën SHAL 58.
Gjithashtu, është miratuar edhe transferi pronësor, pas pagesës së shpronësimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, Qeveria e Republikës së Kosovës të Pronës së objekteve “Pallati i Mediave” Rilindja (N.SH të ndryshme) dhe për tokën e N.Sh Drithnaja (Zhitopromet) Prishtinë, pas pagesës së shpronësimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, Qeveria e Republikës së Kosovës. U miratua po ashtu edhe transferi pronësor i pronës së lokalit “Barnatorja e Qytetit” Prishtinë PRN068, pas pagesës së shpronësimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe transferrin pronësor të tokës dhe objektit të N.Sh “Banka e Lubjanës” dhe një pjese të Objektit të N.SH “Metal Holding”.
Përveç këtyre, u miratua edhe largimi i ndërtesës (asetit) Kino Rinia 1 të NSH Kinema ABC nga regjistri i pronave të N.Sh Kinema ABC Prishtinë dhe nga Sistemi i Menaxhimit të Aseteve të NSH-ve. Gjithashtu, u amandamentua edhe Vendimi i Bordit me nr. Ref.BD-56/14 për strategjinë e shpërndarjes së pjesshme për Listat e Punëtorëve të 20%, duke zbritur afatin e mbajtjes së mjeteve rezervë nga 1 vit në 6 muaj, si dhe u aprovua raporti i Komisionit të Banesave për 15 banesa me të drejtën e shfrytëzimit.
AKP-ja me këtë rast ka aprovuar edhe raportin e Komisionit për Përcaktimin e Statusit për ndërmarrjen “Automakedonija” Shkup, i cili e përcakton këtë ndërmarrje si ndërmarrje në pronësi shoqërore si dhe ka miratuar Rregulloren për rregullimin e lëndës arkivore, digjitalizimin dhe dorëzimin në Arkivin kompetent për Ndërmarrjet Shoqërore në procesin e likuidimit.
Në këtë mbledhje u miratuan edhe qiradhëniet e aseteve me tender publik për NSH-të në likuidim të datës 22.06.2022.
Tutje, Bordi shqyrtoi dhe miratoi raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore si në vazhdim:
- NSH Auto Prishtina, Prishtinë, PRN126
- NSH Dukagjini – Industry for construction material, Gjakovë, PEJ065,
- NSH PRN028 NSH “19 Qershori”– korrigjim,
- NSH GJI145 NSh Vet Station Gjilan, dhe
- NSH GJI158 NSh Ljuboten-Brick Factory. /Buletini Ekonomik/