Borxhi total i bizneseve që kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës tashmë ka arritur në 476 milionë euro. Këtë e ka bërë të ditur dje në një konferencë për media Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj.
Murtezaj tha se ky borxh total, është borxh që është grumbulluar ndër vite nga bizneset që nuk i kanë kryer obligimet tatimore me kohë.
Sipas tij, vetëm nga janari deri në qershor 2022, është arritur të mbledhen rreth 76 milionë euro borxhe të vjetra, por thekson se shuma e borxhit të vjetër të paarkëtuar vazhdon të mbetet ende i lartë, duke theksuar se inkasimi i borxhit vazhdon të jetë sfidë për ATK-në.
Ndërkohë, nga të hyrat e tatimeve të rregullta, Murtezaj tha se për gjashtë muaj, ATK-ja ka arritur të mbledhë 355 milionë euro, apo 26.5 milionë euro më shumë sesa që ishte planifikuar nga ATK-ja, apo 8.1%. Po ashtu, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga ATK-ja bëjnë të ditur se është shënuar rritje e të hyrave për 66.3 milionë euro apo 22.9%./Buletini Ekonomik/