Kontinenti evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të investojnë në burime të rinovueshme të energjisë, që të jenë të sigurt në aspektin energjetik dhe të pavarur nga burimet e energjisë ruse ose të vendeve të tjera, thotë Chiara Matinelli, drejtore e Rrjetit Evropian për Veprimin Klimatik (CAN-E), në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Por, sipas saj, procesi i tranzicionit energjetik, i cili nënkupton dekarbonizimin e Ballkanit Perëndimor deri në viti 2050, përbën shqetësim.
“Duhet reaguar me urgjencë dhe proceset që shohim në Ballkan, janë të ngadalta, janë thjesht shumë të ngadalta. Këtë nuk duhet ta lejojmë”, thotë Matinelli.
Javën e kaluar në Sarajevë, ajo udhëhoqi një panel në kuadër të forumit “Just Transition”, në të cilin përfaqësues të sektorit energjetik të vendeve të Ballkanit Perëndimor diskutuan për të ardhmen e sektorit të energjisë.
Radio Evropa e Lirë: Ku ndodhen vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e dekarbonizimit?
Chiara Matinelli: Një segment i rëndësishëm i procesit është shpejtësia me të cilën zhvillohet. Gjetkë në Evropë, edhe në Ballkanin Perëndimor, kemi ndryshime klimatike, pasoja shkatërruese në bujqësi, në natyrë në përgjithësi dhe në gjithçka tjetër, në jetën tonë. Duhet reaguar me urgjencë dhe proceset që shohim në Ballkan, janë të ngadalta, janë thjesht shumë të ngadalta. Këtë nuk duhet ta lejojmë.
Ky është edhe qëllimi i këtij Forumi – se si të përkthehen në praktikë të gjitha deklaratat që kemi, si të përkthehet Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në politikë zbatimi, në mënyrë që të ecim përpara.
Radio Evropa e Lirë: Si të përshpejtohen proceset, ku janë sfidat më të mëdha dhe ku janë avantazhet e Ballkanit Perëndimor?
Chiara Matinelli: Secili vend dallon me kontekstin e vet dhe kjo është diçka që duhet ta respektojmë. Nëse përgjithësojmë, së pari duhet të jemi të qëndrueshëm në vendimet tona. Largimi nga qymyri do të thotë largim nga qymyri. Kjo nënkupton që nuk do të ketë më projekte të reja me bazë qymyrin.
Një segment tjetër i rëndësishëm janë burimet e rinovueshme – investimet në energjinë e rinovueshme që do të plotësonin gradualisht një pjesë të nevojave në secilin vend. Më duket se edhe ata që marrin vendime, janë duke e kuptuar këtë dhe janë dakord me ne, se çfarë duhet të forcohet dhe çfarë duhet të ndalet.
E theksoj sërish, investimet më të mëdha në energjitë e rinovueshme (era dhe dielli) janë më të rëndësishmet. Nganjëherë, ne thjesht harrojmë atë që është e mirë, duke u përpjekur të ndalojmë të keqen. Përpjekjet duhet të përqendrohen në burime të reja të energjisë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju thonë ministrat e Energjisë dhe zyrtarët nga Ballkani Perëndimor? Çfarë tjetër përmendin si pengesë?
Chiara Matinelli: Është interesante se ministrat nga vende të ndryshme, Bosnje e Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Ukraina, mendojnë se janë nën presion për të treguar se çfarë kanë bërë deri më tani, se ku janë hapat përpara… Kjo është për t’u lavdëruar. Por, personalisht, kam ndjesinë se shumë shpesh përdoret fjala “por” – bashkë me justifikimet për krizën energjetike… po jetojmë në një moment kritik, lufta në Ukrainë, sfida shtesë…
Mesazhi im për ta është: në rregull, këto janë sfida, por janë simptoma të një krize që ka qenë e pranishme. Këtë nuk duhet ta keqpërdorim si justifikim, por si mënyrë për t’i rregulluar gjërat.
Mendoj se edhe një gjë është e rëndësishme – duhet të punojmë dhe të mendojmë sa më shumë në kuptimin rajonal, sepse rajoni nuk mund të jetë i pavarur nga lëndët djegëse fosile, nëse nuk ka treg rajonal, që do t’i plotësonte së paku nevojat rajonale energjetike.
Radio Evropa e Lirë: Termocentralet në Ballkanin Perëndimor janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Evropë. A është kjo e dhënë arsye e mjaftueshme për të nisur më me vendosmëri tranzicionin në energji?
Chiara Matinelli: Ky është një element kritik. Situata me ndotjen prek miliona njerëz. Përveç faktit që miliona njerëz vuajnë dhe kanë pasoja nga kjo, ndahen edhe shuma të mëdha parash për t’i sanuar pasojat e kësaj situate. Do të ishte më mirë që këto para të investoheshin në burime të rinovueshme të energjisë, në diçka që do të parandalonte ndotjen.
Radio Evropa e Lirë: Së voni, në Ballkanin Perëndimor përdoret justifikimi se edhe disa vende të BE-së kanë vendosur t‘i aktivizojnë disa termocentrale me qymyr, për shkak të krizës energjetike dhe ndalimit të importit të gazit dhe naftës nga Rusia. Sa është problematik riaktivizimi i termocentraleve të tilla?
Chiara Matinelli: Për fat të keq, po shohim që kjo është duke ndodhur. Kjo është një përgjigje klasike emergjente ndaj një krize, që do t’i bllokojë përpjekjet tona dhe do të na mbyllë në një sistem, që e dimë se shkakton ndryshime të rënda klimatike, por gjithashtu na bën të varur nga karburantet fosile nga Rusia ose ndonjë vend tjetër.
Kjo na pengon të jetojmë në një Evropë të sigurt sa i përket energjisë. Ky është hap prapa. Ne do të kemi energji javën e ardhshme, por në plan afatgjatë është katastrofë.
Radio Evropa e Lirë: Ku janë ngjashmëritë dhe ku janë dallimet në vendet e Ballkanit Perëndimor?
Chiara Matinelli: Më shumë investime në energjinë e rinovueshme, por edhe në kuadrin ligjor që do t’i mundësojë ato. Përpara investimeve duhet të kemi një kuadër ligjor, që do t’i mundësojë ato dhe do të tërheqë investitorë. Disa vende i kanë, disa janë ende duke punuar në to. Komuniteti i energjisë është duke bërë një punë të mirë për këtë, por disa gjëra nuk kanë përfunduar ende.
Natyrisht, ky nuk është vetëm problem i Ballkanit Perëndimor. Por, është e rëndësishme që ky rajon të mos bjerë në grackë, që, duke u përpjekur të braktisë qymyrin, të fillojë të varet nga gazi rus, për shembull.
Radio Evropa e Lirë: Përse Ballkani Perëndimor është aq i hapur ndaj investimeve kineze, të cilat shpesh janë të fokusuara në lëndët djegëse fosile për energji apo hidrocentrale? Shembulli i fundit është Blloku 7 i Termocentralit të Tuzllës në Bosnje e Hercegovinë…
Chiara Matinelli: Ajo që e kemi si të dhënë është se kompanitë nga BE-ja janë ende investitorët më të mëdhenj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket pyetjes se përse investimet kineze po bëjnë kaq shumë zhurmë, mendoj se ato kërkojnë plotësimin e më pak kushteve. Kjo është arsyeja përse është më e lehtë të sigurohen investime të tilla.
Nuk dua t’i fajësoj vetëm të tjerët, sigurisht që edhe kompanitë e BE-së nuk punojnë gjithmonë në mënyrë strikte, sipas rregullave… por, nëse flasim për kompanitë kineze, ato nuk kërkojnë standarde strikte, mjedisore, apo të tilla që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve.
Radio Evropa e Lirë: A mund të thuhet se investimet e tilla janë më të rrezikshme?
Chiara Matinelli: Nuk do të them se janë më të rrezikshme, por do ta mbajnë Ballkanin Perëndimor në një sistem që ne po përpiqemi ta ndryshojmë. Nuk them se nuk duhet bashkëpunuar fare me kompanitë kineze, por duhet të sigurohemi se ato i plotësojnë kushtet që i kërkojmë. Ne mbajmë çelësin kur bëhet fjalë për standardet mjedisore dhe standardet për të drejtat dhe kushtet e punëtorëve. /REL/