Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar sot përmes një konference për media skemën “Qeveria për Familjet” që ka për synim punësimin e të paktën një anëtari në çdo familje në nevojë.
Sipas ministrit Murati, kjo masë është përgatitur me qëllim që të rritet numri i të punësuarve, duke i mbështetur në të njëjtën kohë edhe bizneset që i punësojnë anëtarët e familjeve që janë në nevojë dhe nuk kanë asnjë të punësuar.
Në bazë të kësaj skeme, sipas Qeverisë, bizneseve do t’iu subvencionohet paga bruto e të punësuarit deri në 70%, ku maksimumi do të jetë 300 euro. Kjo masë u paralajmërua se do të zgjasë për gjashtë muaj me radhë, përcjell Buletini Ekonomik.
Murati tha se Agjencia e Punësimit në Kosovë do ta ofrojë listën e personave që nuk kanë asnjë familjar të punësuar tek bizneset/entitetet, të cilët pastaj përzgjedhin personin që do t’i angazhojë bazuar në nevojat dhe profilet e kërkuara.
Kriteret kryesore për të përfituar nga kjo masë, janë që mosha e përfituesit potencial duhet të jetë minimumi 18 vjeç deri në 64 vjeç, të mos ketë asnjë anëtar tjetër të familjes të punësuar, si dhe të jenë të regjistruar si të papunë/punëkërkues në Agjencinë e Punësimit (APRK).
Kurse, kriteret kryesore për përfitim nga kjo masë janë që bizneset duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe OJQ-të duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Bazuar në interpretimin e ministrit Murati, në rast se një kompani i ka 10 punëtorë, nëpërmjet kësaj mase mund t’i punësojë 3 punëtorë nga këto familje, e të cilët duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë e Punës.
“Masa për punësim do të zgjasë aq sa është e nevojshme për familjet me asistencë sociale. Jemi të gatshëm që t’i mbulojmë të gjitha këto familje”, ka shtuar tutje Murati.
Gjithashtu, Ministria e Financave nënvizon se personat e angazhuar përmes kësaj skeme nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të stafit ekzistues të biznesit.
Projekti i subvencionimit të punësimit do të hyjë në fuqi që nga sot./Buletini Ekonomik/