Dështon mocioni i LDK-së, Kuvendi nuk e shkarkon bordin e ZRRE-së

Në Kuvend ka dështuar të miratohet mocioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, raporton Gazeta Express.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se 22 deputetë votuan për shkarkimin, 53 ishin kundër dhe asnjë nuk abstenoi.

Paraprakisht pati pak debat. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se bordi i ZRRE-së nuk ka vepruar siç duhet në procesin e shtrenjtimit të rrymës.

Reklama e sponzorizuar

“Qytetarët e vendit janë duke e paguar këtë papërgjegjësi”, tha ai, duke kërkuar shkarkimin dhe emërimin e “një bordi të pavarur nga ndikimet politike”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se ky bord “do të duhej të shkarkohej moti”. Për shkeljet ligjore që tha se i ka bërë ky bord, ai tha se anëtarët “do të duhej moralisht të tërhiqeshin vetë”.

Mocionin e mbështeti edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kundër shkarkimit të bordit të ZRRE-së ishte Lëvizja Vetëvendosje. Kryetarja e grupit më të madh parlamentar, Mimoza Kusari e quajti të paarsyeshëm mocionin e LDK-së.

“Përveçse nuk e ka pasë arsyetimin e bindshëm, ka shpërputhje dhe mangësi të plotë me dispozitat ligjore”, tha ajo.