Eurostati aprovon Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë (NUTS)

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka pranuar zyrtarisht Aprovimin e Eurostatit për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore (NUTS 1).

Në një letër nga Drejtoresha e Përgjithshme e Eurostatit, Mariana Kotzeva, dërguar
Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir T.
Berisha, është bërë i ditur Aprovimi për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë.

Klasifikimi i Rajoneve Statistikore ka rëndësi të madhe për Kosovën dhe Sistemin Statistikor të Kosovës, pasi që është përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian për Energji Atomike në njërën anë, dhe Kosovës, në anën tjetër.

Reklama e sponzorizuar

MSA (Neni 75) parashikon transmetimin (dërgimin) e të dhënave të BPV-së për kokë banori
nga Kosova në Eurostat në nivelin NUTS II. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
tashmë është duke i ofruar Eurostatit të dhënat e BPV-së dhe tregues të tjerë statistikorë në nivel kombëtar.

Për më tepër, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë të dhëna statistikore zyrtare në njësitë më të ulëta territoriale, të krahasueshme me të dhënat rajonale të vendeve anëtare të BE-së, EFTA-së dhe vendeve të tjera kandidate.

Sipas Letrës së dërguar nga znj. Kotzeva, Klasifikimi i Rajoneve Statistikore mund dhe duhet të përdoret për furnizim të informacionit statistikor rajonal nga Kosova.

Ky Klasifikim i Rajoneve Statistikore do të përfshihet zyrtarisht si klasifikim NUTS për Kosovën për një anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian (BE). Klasifikimi i Rajoneve Statistikore (NUTS) hyn në fuqi menjëherë.