Pandemia, lufta në Ukrainë dhe së fundmi kriza e naftës janë 3 episode të njëpasnjëshme që na kanë sjellë në situatën aktuale ku:
Të pasurit mendojnë si e si të sigurojnë asetet;
Klasa e mesme i druhet mundësisë se inflacioni do t’ua zhvlerësojë kursimet;
Ndërsa klasa e ulët, mundohet të ruajë qetësinë dhe ato pak kursime që ka – nëse ka.
Racionimi i shpenzimeve tashmë ka nisur zyrtarisht kudo!
Në një kohë si kjo, është gjithnjë mirë të sjellim ndërmend episode të ngjashme në histori për të parë nëse mund të na ndihmojnë të kuptojmë diçka më shumë rreth situatës aktuale.
Dhe nuk duhet të shohim shumë larg. Recesioni i vitit 2008-2009 është në memorien kolektive të gjithsecilit prej nesh.
Duke ndjekur këtë vijë logjike, edhe pse asnjë profesion nuk është 100% i sigurt, më poshtë do të lexoni rreth disa prej industrive me të sigurta gjatë krizave dhe disa prej më të pasigurtave.
Sipas Byrosë së Statistikave të Punës në SHBA, gjatë kolapsit ekonomik të Wall Street në vitin 2007, sektorët e ndërtimit dhe prodhimit pësuan një krizë të theksuar për sa i përket vendeve të punës.
Arsyeja pse mendohet të jetë fakti që gjatë krizave, njerëzit bëhen më të kujdesshëm duke mos bërë shpenzime të mëdha si blerja e një makine apo edhe e një shtëpie.
Këto janë disa nga industritë që kanë provuar të jenë më të sigurta edhe gjatë periudhave të recesionit apo krizave:
Punët në shëndetësi
Punët në administratë shtetërore
Profesionet e IT dhe teknologji
Arsimi/mësimdhënia
Sipas profesorit të ekonomisë në John Hopkins University, Laurance Ball, ajo që i lidh të katërta këto fusha është mungesa e varësisë ndaj inflacionit dhe ndryshimeve apo luhatjeve në normat e interesit.
Përveç kësaj, të katërta këto fusha përfaqësojnë shërbime të nevojshme vazhdimisht për njerëzit – pavarësisht ekonomisë.
Nëse tregu i punës nuk është në formë të mirë, njerëzit janë më të prirur t’i drejtohen shkollave profesionale apo universiteteve në mënyrë që të aftësohen dhe të mësojnë një zanat ose profesion dhe të bëhen më konkurrues në tregun e punës.
Disa nga profesionet më të pasigurta gjatë një recesioni?
Ndërtimi
Industria e ndërtimit është tejet e varur ndaj ‘shëndetit të një ekonomie’.
Në momentin që njerëzit e kanë më të vështirë të marrin kredi apo të paguajnë kredinë, projektet e ndërtimit nuk mund të realizohen dot ose lihen pezull. Kjo më pas ndikon në të gjithë nivelet e kësaj industrie duke nisur nga ndërtuesit tek elektricistët, kontraktuesit, marangozët etj.
Aredimi i shtëpisë
Gjatë periudhave të krizave ekonomike, familjarët janë më pak të fokusuar ndaj blerjeve dytësore siç janë aredimet për të shtëpinë që përfshijnë një divan të ri apo një pale perde.
Në këtë kohë, shqetësimi kryesor i njerëzve është ose të kursejnë nëse i kanë mundësitë, ose të racionojnë shpenzimet duke u fokusuar tek gjërat më të nevojshme si ushqimi, shkollimi apo faturat utilitare.
Industria e makinave
Në kohë krize, njerëzit mundohen të jetojnë me ato që kanë – dhe në raste të caktuara mund edhe të shesin disa prej tyre. Kjo është arsyeja përse një makinë e re nuk është detyrimisht në majë të listës së njerëzve gjatë një krize. Aq më pak kur çmimet e karburanteve luhaten çdo javë.
Hoteleri-turizmi
Jo vetëm gjatë pandemisë, por gjatë çdo recesioni industria e parë që preket është hoteleri-turizmi.
Kjo sepse gjatë periudhave të krizave njerëzit mundohen të mos dalin mbrëmjeve dhe të mos shpenzojnë duke bërë udhëtime ekstravagante. Edhe lloji i pushimeve ndryshon gjatë një recesioni, teksa pushuesit mundohen të gjejnë vende më ekonomike për të shpenzuar disa ditë pushimi.
Muzika dhe argëtimi
Siç e pamë edhe gjatë pandemisë, këngëtarët pësuan një zhgënjim të madh. Gjatë krizave njerëzit mundohen të evitojnë koncertet apo kinematë duke u munduar të gjejnë mënyra më ekonomike për t’u argëtuar apo për të shpenzuar kohën e lirë./Euronews.al