Kosovën do ta lëshojnë deri në fund të vitit nga 50 deri 60 mijë persona, po vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.
Vetëm vitin e kaluar, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se kanë emigruar 42 mijë e 728 persona.
Prandaj sipas ekspertëve numri do të rritet krahasuar me vitin 2021 për shkak të kushteve të këqija ekonomike, duke paralajmëruar edhe mungesë të fuqisë punëtore, raporton Ekonomia Online.
Musa Limani, njohës i ekonomisë në një intervistë për Ekonomia Online tha se nëse ndodh liberalizimi i vizave Kosova do të zbrazet.
Limani thotë se pasojat kryesore janë ekonomike, shoqërore po mbi të gjitha kombëtare.
“Normalisht se do të ketë gjasë, ky numër do të rritet edhe më tepër për arsye se nuk ka gjasa që të kemi ndonjë zhvillim intensiv dhe me rastin e liberalizimit të vizave do të zbrazet Kosova. Vetëm edhe një të dhënë, në vitin e kaluar me sa kam informacion, Kosovën e kanë lëshuar 400 mjek. Ne do të mbesim pa mjek në të ardhmen. Ky migracion i rinisë tonë do të paraqes mungesën e fuqisë punëtore në të ardhmen “.
“Tash varet se si i sigurojnë vizat, përndryshe sa të munden me siguruar viza ata do të marrin botën në sy. Mendoj se do të rriten nuk do të zvogëlohet migracioni. Pasojat kryesore janë ekonomike, shoqërore po mbi të gjitha kombëtare sepse po zbrazet Kosova. Ne nesër do të kemi mungesë të fuqisë punëtore”.
Ai konsideron se shumë çifte nuk pajtohen që të kenë fëmijë për shkak të kushteve të dobëta ekonomike shtuar kësaj edhe ikjen e të rinjve.
Sipas tij, shtimi natyror në vitin e kaluar ka qenë 14 mijë persona, krahasuar me vitin 1989 kur ishte 47 mijë persona, duke shtuar se do të ketë depopullim.
“Veç ka filluar me u plak popullsia e Kosovës, problemet sociale po ndikojnë që rinia të mos krijojnë familje pikërisht në mungesë të problemeve sociale. Po e prolongon martesën ose një dukuri që e kanë pasur vendet e tjera sidomos Gjermania, bashkëjetesa. Bashkëjetesa është shkatërrim i kombit, do të thotë bashkëjeton një çift mirëpo nuk pajtohen që të krijojnë familje. Në këtë mënyrë hap pas hapi është duke u zvogëluar rinia dhe po vjen duke u plakur popullsia e Kosovës. Një të dhënë të saktë nga ana statistikore, në vitin 1989 shtimi natyror, domethënë diferenca në mes të natalitetit dhe mortalitetit në Kosovë ka qenë 47 mijë persona, ndërsa në vitin 2021 ky shtimi natyror ka rënë në 14 mijë persona. Në qoftë se me këtë trend shkohet në migracion, dhe çështja e vonimit të martesave jo që vjen deri tek plakja po do të kemi edhe depopullacion të shqiptarëve në Kosovë”.
Edhe njohësi i ekonomisë, Lavdim Hamidi për Ekonomia Online tha se ikje e qytetarëve do të vazhdojë e kjo për shkak të kushteve të këqija.
Sipas tij, numri i ikjeve nga Kosova do të sillet nga 50 deri në 60 mijë persona, raporton EO.
“Unë e kam përcjell këtë rast të ikjeve 2013 dhe 2015, ka pas më së shumti. Diku kanë ikur rreth 100 mijë veta, po kryesisht njerëz që nuk kanë pasur punë. Tash më e keqja që po ikin njerëz me diploma të fakultetit dhe kjo është problemi më i madh për Kosovën. Besoj se nëse vitin e kaluar kanë marrë 34 mijë viza gjermane. Këtë vit do të jetë shumë më shumë, gati 50 mijë ose 60 mijë që do të ikin dhe kështu Kosova do të mbetet pa kuadro profesionale”.
Ai ka sqaruar se Kosova po fal ekspertë sidomos mjekë Gjermaninë, duke shtuar se përgatitja e mjekut specialist i kushton buxhetit të shtetit 200 mijë euro.
“Diku janë rreth 43 mijë vetë që kanë shkuar me punuar jashtë Kosovës. Po ikin për shkak të kushteve të këqija, mjekët po ikin për shkak të pagave të ulëta, infermierët e zanatlitë që kanë treg shumë të madh në Gjermani. Gabimi më i madh i joni është sepse përgatitja e mjekut specialist i kushton buxhetit të Kosovës diku rreth 200 mijë euro, dhe atë po ia falim Gjermanisë për shkak se paga e tyre është 600 euro”.
Sa i përket pasojave, ai thotë se vendi do të mbetet pa mjek, pa inxhinier, arkitekt e profesionist të fushave.
Ai thotë se pas 10 viteve mjekët aktual do të dalin në pension e nuk do të ketë kuadro të reja profesioniste.
“Pasojat janë se nuk ke me pasë mjek të mirë në klinikat shtetërore, ke me u detyruar të shkohet në privat, me shku para të mëdha për shërbimet e tyre. Në anën tjetër është rritur çmimi i njerëzve që kanë profesione të ndryshme, kryesisht ndërtimtari e këto është rritur për shkak se ata po punësohen në Gjermani po e gjejnë një kontratë pune dhe nuk po i nevojiten as kurset e gjuhës gjermane. Domethënë është liberalizuar komplet tregu me arrit me i marrë punëtorët nga jashtë”.
“Realisht është thënë edhe prej Odës së Mjekëve që mosha mesatare e mjekëve është mbi 50 vjet në QKUK dhe diku 10 e më pak se 15 vite do të dalin në pension. Ndërsa, kuadro të reja nuk kemi sepse ata po ikin dhe kështu po ndodh edhe me profesione të tjera, me inxhinierë, arkitekt dhe të gjithë ata që e shohin një mundësi më të mirë në Gjermani do të shkojnë. E vetmja mënyrë me i ndal ata është me i ofruar kushte më të mira në Kosovë”.