Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar që do ta dorëzoj në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme për tarifat e energjisë elektrike.
Këtë e ka bërë të ditur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila tha se javën e ardhshme do ta qojnë në Kushtetuese vendimin e Supremes.
Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Themelores që të pezullohej vendimi për faturimin e rrymës me tarifa të reja, të vendosura në shkurt.
Në një njoftim për media, Supremja ka arsyetuar ndryshimin e vendimit duke thënë se arsyetimi i aktvendimeve të mëhershme ka qenë jobindës dhe jokonkret.
Në shkurt, ZRRE-ja pati vendosur për shtrenjtim të çmimit të rrymës. Partia Demokratike e Kosovës pati çuar vendimin në Gjykatë. Themelorja pati vendosur për pezullim të përkohshëm të zbatimit të vendimit. Njëjtë pati vendosur edhe Apeli, deri në shqyrtim të plotë të rastit për çështjen e vendosjes së tarifave të reja.