Profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se në prodhimtarinë më të ulët të grurit sivjet, ka ndikuar moti i nxehtë, me ç’rast shumica e ngastrave të mbjellura me këtë kulturë strategjike e kanë arritur pjekurinë e parakohshme ose pjekjen e dhunshme siç quhet në agronomi, por planifikmet nuk janë arritur edhe si pasojë e shtrejtimeve enorme të plehrave minerale.
Blendrita Avdiu
Sivjet, tashmë pas përfundimit të korrje-shirjeve në shumicën absolute të sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha në Kosovë, është evidente se rendimentet nuk janë ato të pritshmet, e as ato të vitit të kaluar.
Kanë dështuar pritshmëritë për të pasur më shumë grurë në hambaret kosovare për shumë shkaqe, por sipas ekspertëve të agrarit kosovar, krahas çmimeve enorme të larta të plehrave minerale, përdorimin e nevojshëm të të cilave bujqit e reduktuan, ndikim përcaktues në rendimente ka pasur moti i nxehtë që ka ndikuar në pjekurinë e parakohshme ose pjekjen e dhunshme siç quhet në agronomi.
Profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë për Buletinin Ekonomik se prodhimtaria e grurit gjatë këtij viti është më e ultë në raport me vitet tjera.
Sipas tij, sivjet, pjesën ma të madhe të sipërfaqeve kultivuese me grurë e ka kapluar vala e nxehtë, me ç’rast shumica e ngastrave të mbjellura me këtë kulturë strategjike e kanë arritur pjekurinë e parakohshme ose pjekjen e dhunshme siç quhet në agronomi.
Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ai ka thënë se reshjet munguan plotësisht në muajn maj, të cilat në prodhimtarinë e grurit quhen reshje të arta. Siç thotë ai, planifikmet nuk janë arritur edhe si pasojë e shtrejtimeve enorme të plehërave minerale, që kanë ndikuar në mos hartimin e duhur të racioneve ushqyese për kërkesat e bimëve.
“Normalisht që pjekjet e parakohshme, përkatësisht stërpjekjet e grurit ndikojnë në uljen e sasisë dhe cilësisë së prodhimit”, thuhet në përgjigjet e tij.
Ai gjithashtu thotë se temperaturat e larta të qershorit kanë shkaktuar ç’rregullime metabolike të bimëve dhe përshpejtime të nënfazave të pjekurisë qumështore, dyllore dhe asaj të plotë.
“Në këtë drejtim, parametrat biomorfologjike dhe prodhues vështirë plotësojnë standardet që parashihen në agronomi. Përmbajtja e lagështisë në frytet e grurit gjatë korrje shirjeve në shumicën e ngastrave kultivuese ishte me e ulët se standardi që parashihe”, ka thënë tutje Rusinovci.
Ngjashëm me këtë edhe hektolirti i grurit ishte nën standardet që parashihen dhe për pasojë edhe rendimenti i miellit është më i ulët në raport me vitet tjera. /Buletini Ekonomik/