Rezervës shtetërore i shtohen edhe 10 milionë euro

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se sivjet në rezervën shtetërore janë shtuar edhe 10 milionë euro, që janë kryesisht furnizime me grurë, vaj dhe sheqer.

Sipas ministres Hajdari, në muajin korrik planifikohet që sërish të furnizohet rezerva me të korrurat e grurit të sivjetëm vendor.

Ajo në një emision për telezivizonin Tëvë 1, ka thënë se në rezervën shtetërore aktualisht ka grurë të mjaftueshëm dhe janë të gjitha produktet elementare të nevojshme.

Reklama e sponzorizuar

Por, thotë se rezerva do të mund të përdoret vetëm në rastet e luftës ose të ndonjë fatkeqësie natyrore.

Sipas saj, mbi 60 për qind e rendimentit në rezervë është rritur në prodhimin vendor.

“Kemi grurë dhe të gjitha produktet elementare, jemi furnizuar dukshëm më mirë. Tash do të ketë pasurim edhe më të lartë dhe është çështje muajsh, pasi pasurim më të lartë do të kemi në korrik kur kemi të korrurat vendore. Kemi shtuar me plus 10 milionë euro furnizimin, që është me grurë, me vaj dhe sheqer. Mbi 60% e rendimentit është rritur në prodhimin vendor, duke e hequr edhe akcizën. Ne e kemi rezervën për situata më të vështira në rast të luftës, ose fatkeqësive natyrore. Synojmë në afat më të gjatë të jemi me më shumë furnizim të rezervave shtetërore që të balancojmë edhe tregun përmes rezervës shtetërore nëse lejon buxheti”, ka deklaruar Hajdari. /Buletini Ekonomik/