Shefja e FMN thotë se ‘nuk mund ta përjashtojë’ mundësinë e një recesioni global

Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN

Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha të mërkurën se perspektiva për ekonominë globale ishte “errësuar ndjeshëm” që nga muaji prill dhe ajo nuk mund ta përjashtojë mundësinë e një recesioni global vitin e ardhshëm, duke pasur parasysh rreziqet e shumta.

Drejtuesja e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha për Reuters se fondi do të ulë në javët e ardhshme parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale prej 3.6% gjatë vitit 2022 për herë të tretë këtë vit, duke shtuar se ekonomistët e FMN-së janë ende duke finalizuar shifrat e reja.

FMN-ja pritet të publikojë parashikimin e saj të përditësuar për vitin 2022 dhe 2023 në fund të korrikut, pasi uli parashikimin me pothuajse një pikë përqindjeje në prill. Ekonomia globale u rrit me 6.1% në vitin 2021.

Reklama e sponzorizuar

“Perspektiva që nga përditësimi ynë i fundit në prill është errësuar ndjeshëm,” tha ajo për Reuters në një intervistë, duke përmendur si faktorë kryesorë përhapjen më universale të inflacionit, rritjen më të konsiderueshme të normave të interesit, ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kinës dhe përshkallëzimin e sanksioneve në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Ne tashmë po kalojmë nëpër ujëra shumë të rrëmbyeshme,” tha ajo. E pyetur nëse mund të përjashtonte mundësinë e një recesioni global, ajo u përgjigj: “Rreziku për këtë është rritur, kështu që ne nuk mund ta përjashtojmë si mundësi”.

Të dhënat e fundit ekonomike treguan se disa ekonomi të mëdha, duke përfshirë Kinën dhe Rusinë, kanë pësuar një rënie në tremujorët e dytë, tha ajo, duke theksuar se rreziqet ishin akoma më të larta për vitin 2023.

“Ky do të jetë një vit i vështirë, por viti tjetër mund të jetë akoma më i vështirë”, tha ajo. “Rreziqet për një recesion janë më të larta për vitin 2023.”

Investitorët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për rrezikun e një recesioni, pasi kurba e yield-eve të Departamentit të Thesarit në SHBA mori një tendencë rënëse për të dytën ditë radhazi të mërkurën, dhe ky ka qenë historikisht një indikator i besueshëm se po afrohet një recesion.

Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, tha muajin e kaluar se banka qendrore e SHBA-së nuk po përpiqej të krijonte një recesion, por ishte plotësisht e përkushtuar për të vendosur çmimet nën kontroll, edhe nëse një gjë e tillë rrezikonte të sillte një rënie ekonomike.

Georgieva tha se shtrëngimi afatgjatë i kushteve financiare do të ndërlikonte akoma më shumë perspektivën ekonomike globale, por shtoi se ishte thelbësore të viheshin nën kontroll çmimet e larta.

Perspektiva globale ishte më heterogjene tani krahasuar me vetëm dy vite më parë, me eksportuesit e energjisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që tashmë ndodhen në kushte më të mira, ndërsa importuesit e energjisë ndodhen në vështirësi, tha ajo.

Rritja më e ngadaltë ekonomike mund të jetë një “çmim i domosdoshëm që duhet paguar” duke pasur parasysh nevojën urgjente për të rivendosur stabilitetin e çmimeve, tha ajo.

Georgieva përmendi rrezikun e divergjencës midis politikave fiskale dhe monetare, dhe u kërkoi vendeve që të llogarisin me kujdes këto veprime për të shmangur çdo mbështetje fiskale që minon përpjekjet e bankave qendrore për të kontrolluar inflacionin.

“Ne duhet të krijojmë të njëjtin nivel të fortë koordinimi midis bankave qendrore dhe ministrive të financave, në mënyrë që ato të ofrojnë mbështetje shumë të targetuar… dhe të mos dobësojnë atë që synojnë të arrijnë politikat monetare,” tha ajo./ Reuters