Telekomi e pagoi mijëra euro një kompani të marketingut pa e ditur se a janë kryer punët

Në vitin 2021, ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës kishte kryer pagesa në vlerë prej 50 mijë euro për një kompani marketingu, e cila për punët e kryera, ishte e obliguar të raportonte në këtë ndërmarrje.

Mirëpo, përkundër kësaj, Auditori gjeti se Telekomi nuk u njoftua për shërbimet që kreu kompania.

Ndërmarrja kishte lidhur kontratë për shitjen e produkteve të tyre me një operator ekonomik më datë 16 mars 2015. Kjo kompani luan rolin e ndërmjetësit/distributorit të shitjes së produkteve tek palët e treta.

Reklama e sponzorizuar

“Ndërmarrja nuk merr asnjë raport kthyes (raport të kryerjes së punëve/shërbimeve) për shpenzimet e marketingut që partneri afarist i ka kryer në emër të Telekomit. Kostoja e kompensimit të shpenzimeve të marketingut deri në maj 2021 ndaj OE ishte 49,845€, ndërsa nga qershori deri në dhjetor nuk janë pranuar faturat nga OE. Kjo kishte ndodhur si shkak i mos specifikimeve të mjaftueshme të kërkesave ndaj OE-së në anekse dhe si rezultat i mos ushtrimit të kontrolleve të mjaftueshme para ekzekutimit të pagesave të shpenzimeve”, thuhet në raportin për Telekomin e Kosovës të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që mbulon vitin 2021.

Sipas Auditorit, “pagesa e shpenzimeve të marketingut pa pranuar raporte për punën/shërbimin e kryer e cila paguhet në baza të rregullta mujore, përveç që është në mos përputhje me kornizën ligjore lidhur me shpenzimin e parasë publike mund ta dëmtojë edhe buxhetin e ndërmarrjes”. /Buletini Ekonomik/