Në KEK janë të bindur se defekti i ri teknik në Bllokun A3 të Kosovës A, rrjedhje uji në sistemin e gypave, do të sanohet më së largu deri të mërkurën, më 31 gusht. Po kështu në këto dy-tre ditë do të përfundojnë punët për remontin e planifikuar edhe te B2-shi. Në këtë mënyrë, me rikthimin e A3-shit dhe të B2-shit, konsumit të Kosovës do t’i shtohen diku rreth 400 megavatë-orë, që bashkë me 400 megavatët që janë në dispozicion nga prodhimi në B1 dhe në A4, do bëjnë gjithsej diku mbi 800 megavtë-orë, që deri në ditët dimërore, nëse nuk ndodhë ndonjë befasi, do të mjaftonin për një furnizim relativisht stabil.
Buletini Ekonomik
Situatën edhe më të rëndë elektroenergjetike në vend e bëri dje (të dielën, 28 gusht) rënia e Bllokut A3 të Kosovës A. Rënia nga prodhimi për shkak të defekteve teknike, më saktësisht rrjedhjes së ujit, diku nga gypat e shumtë të kësaj njësie prodhuese, që ndodhi saktësisht në orën 10 e 40 minuta të paraditës, kushtëzoi rritjen e reduktimeve, për shkak se u shtua goxha shumë mungesa e energjisë elektrike nga prodhimi i termocentraleve të vendit.
Defekti teknik i A3-shit, që përafërsisht ka fuqinë prodhuese në rrjet diku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike dhe diku rreth 200 megavatë-orë fuqi instaluese, ka ndodhur, pra, si pasojë e rrjedhjes së ujit dhe në kohën kur akoma gjendet jashtë prodhimit blloku B2 i Kosovës B (me fuqi në rrjet diku rreth 260 megavatë-orë). Kështu, që nga e diela paradite, Kosova ka energji të veten në dispozicion gjithsej diku rreth 400 megavatë-orë rrymë nga termocentralet dhe diku rreth 100 e sa megavatë-orë nga burimet e energjisë së ripërtëritëshme (Parku i energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe ai në Kitkë të Anamoravës si dhe një sasi e vogël nga hidrocentralet ekzistuese).
Më saktësisht: nga termocentralet, ose dy blloqet e vetme që aktualisht janë në prodhim (B1 me 260 megavatë-orë dhe A4 me 130 megavatë) dhe nga stabilimentet e energjisë së rinovueshme, Kosova ka në dispozicion gjithsej diku rreth 500 megavatë-orë, ndërkohë që konsumi, sado që është sezoni veror, di të shkojë deri në 750-800 megavatë.
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) njofton se situata e furnizimit me energji elektrike po përkeqësohet. Prandaj, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar dje nga KEDS që “si pasojë e rënies nga sistemi të njësisë A3, të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike. Kjo bën që në vend aktualisht të prodhohen më pak se 400 megavatë, që e bën situatën aspak të favorshme”.
Për kufizimet shtesë, dhe sipas KEDS-it, emergjente, kjo kompani dje ka kërkuar mirëkuptim nga konumatorët për pamundësinë dhe vështirësiitë për të njoftuar të gjithë konsumatorët për restriksionet e reja të rrymës. Njëkohësisht, me qëllim të mospërkeqësimit të situatës me rrymë, KEDS kërkon nga konsumatorët që ta kursejnë atë.
“Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë eficiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër. Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që ti kapërcejmë ato sa më. Së bashku mund t’i dalim”, përfundon kompania.
Sidoqoftë, në KEK, janë të bindur se defekti i ri teknik në Bllokun A3 të Kosovës A, rrjedhje uji në sistemin e gypave, do të sanohet më së largu deri të mërkurën, më 31 gusht.
“Që kur është zbuluar rrjedha e ujit në kazanin e A3-shit, ekipet e mirëmbajtjes së termocentraleve Kosova A, janë mobilizuar për të intervenuar sa më shpejtë.”
Por, njoftojnë në KEK, “në këto raste kushtimisht disa orë duhet të pritet deri sa të ftohet kazani, për t’u krijuar mundësitë për t’u futur në kazan. Fillimisht nevojiten ca orë për ta zbuluar gypin që ka rrjedhur ujin, pastaj fillon evitimi i këtij defekti.”
Sipas zyrtarëve, më së largu deri të mërkurën do të kthehet në prodhim A3-shi. Dhe ata janë të bindur në këtë version që e theksojnë publikisht, pasi që tashmë janë vendosur skelet, ka kaluar thuaja se koha e nevojshme për ftohje dhe brenda orësh nis intervenimi.
Zyrtarët në KEK kanë vënë në dukje se Kosova A ka punëtorë të përgatitur profesionalisht për këso intervenime dhe ata nuk janë të paktë. Në Kosovën A, sipas tyre, janë diku mbi 210 punëtorë të mirëmbajtjes, ndërsa në këtë rast, pra për evitimin e rrjedhjes së ujit në kazanin e A3-shit nevojiten, diku 14 punëtorë.
Nëse shkon e gjithë puna sipas parashikimeve në KEK, të mërkurën ritkthehet blloku A3, ndërsa B2, po kështu në këto dy-tre ditë do të përfundojnë punët për remontin e planifikuar dhe në këto ditë edhe ky kapacitet prodhues do të nisë prodhimin. Në këtë mënyrë, me rikthimin e A3-shit dhe të B2-shit, konsumit të Kosovës do t’i shtohen diku rreth 400 megavatë-orë, që bashkë me 400 megavatët që janë në dispozicion nga prodhimi në B1 dhe në A4, do bëjnë gjithsej diku mbi 800 megavatë-orë, që deri në ditët dimërore, nëse nuk ndodhë ndonjë befasi, do të mjaftonin për një furnizim relativisht stabil të konsumit të Kosovës me energji elektrike. /Buletini Ekonomik/