Departamenti për Menaxhimin e Mbledhjes së Borxheve brenda ATK-së ka njoftuar se ka vazhduar me aktivitete sforcuese tek disa subjekte biznesore, të cilat nuk i kanë kryer obligimet tatimore.
Nga ATK, përmes një njoftimi për media, është bërë e ditur se janë përzgjedhur 18 subjekte, që kanë pasur obligime të pa paguara ndaj ATK-së në vlerë prej 1.8 milion euro.
Vlera totale e inkasuar –paguar gjatë ditës së premte ka qenë 416,250.18 euro ose rreth gjysmë milioni euro, ndërsa pjesa tjetër e borxheve të këtyre bizneseve pritet të inkasohet bazuar në marrëveshjet e reja të lidhura për pagesën e obligimeve tatimore me këste, si dhe marrëveshjeve të ri programuara për bizneset të cilat nuk u janë përmbajtur marrëveshjeve paraprake.
“Menaxhmenti i ATK-së vazhdon ta ketë në prioritet zvogëlimin e stokut të borxheve, si dhe trajtimin në kohë të borxheve të reja”, thuhet në njoftimin e ATK-së.