“Balkan Barometer Business Opinion 2022”, realizuar nga Regional Cooperation Council (RCC) me financimin e Bashkimit Evropian (BE) vlerëson progresin e procedurave në shërbim të biznesit të Doganave Shqiptare.
Edicioni 2022 i Barometrit të Ballkanit- Regional Cooperation Council i Balkan Barometer Business Opinion 2022 (rcc.int), vlerëson perceptimet e biznesit nëpërmjet një pyetësori me 177 pyetje drejtuar 1203 përfaqësuesve të biznesit, edhe sa i përket procedurave doganore për importet dhe eksportet.
Sipas Barometrit, “në rajon Shqipëria duket që ka procedurat më të shpejta doganore të
importeve në dogana me më pak se dy ditë (për më shumë se 50 % të importuesve) ndërkohë që më shumë kohë, mbi 5 ditë, kërkohet në doganat e Bosnje-Herzegovinës dhe Maqedonisë së Veriut (respektivisht 14% dhe 10% e të intervistuarve)”.
Sipas Barometrit, Shqipëria ka ndër procedurat më të shpejta doganore edhe për eksportet në më pak se dy ditë, ndërkohë që për vendet e tjera koha doganore e çlirimit të mallrave për eksport është 3-5 ditë.
Sipas sondazhit, eksportuesit janë shprehur për rënie të barrierave në formën e uljes së kërkesave për dokumentacion dhe leje e licensa(16 %) dhe dokumentacion shkresor (15 %), të cilat kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2020. Kjo shpjegohet me disa nisma të integrimit rajonal, të cilat janë diskutuar dhe promovuar gjatë vitit 2021.
Pozitiv është konkluzioni i Barometrit se “Shqipëria nuk është në listën e vendeve që kërkon dokumentacion shkresor(Doganat shqiptare funksionojnë nëpërmjet sistemeve informatike dhe janë paper-less), ndërkohë që kërkesa për dokumente shkresore mbetet një problem për Kosovën, Bosnjen dhe Serbinë”. /Monitor.al/