Çmimet e farërave dhe plehrave bujqësore shënuan rritje për 45 për qind

Disa prej inputeve kryesore bujqësore në Kosovë, të cilat janë të domosdoshme për punimin e tokës dhe kultivimin e bimëve, gjatë këtij viti kanë shënuar rritje enorme në çmim.

Vetëm deri në muajin qershor të këtij viti (TM2-2022), indeksi i inputeve bujqësore 1, ku përfshihen farërat dhe materialet mbëltuese, energjia, vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, produktet për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzimet për veterinari, si dhe lëndët për ushqimin e kafshëve, ka shënuar rritje për 45 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Ndërkohë, rritje po ashtu të lartë kanë shënuar edhe inputet e tjera bujqësore, që i përkasin grupit të dytë, e që përfshijnë makineritë dhe pajisjet tjera bujqësore si dhe fermat, ku gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, të njëjtat shënuan rritje për 11 për qind në çmim, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, këto të dhëna janë mbledhur ekskluzivisht nëpër barnatoret bujqësore në Kosovë, në farmacitë veterinare, nëpër kompani dhe tregje të këtyre produkteve, kurse disa çmime të inpuiteve bujqësore janë marrë edhe nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1 + Input 2) ka pasur rritje për 28.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, njoftojnë nga ASK. /Buletini Ekonomik/