Ekonomia e Italisë pati rritje më të shpejtë nga sa pritej përgjatë tremujorit të dytë

Ekonomia e Italisë u rrit me 1.0% përgjatë tremujorit të dytë të vitit krahasuar me tre muajt e mëparshëm, sipas të dhënave paraprake të publikuara të premten.

Kjo shifër është më e lartë nga sa pritej, pavarësisht nga situatat problematike të krijuara si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.

Në bazë vjetore, prodhimi i brendshëm bruto i tremujorit të dytë në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës u rrit me 4.6%, sipas ISTAT.

Reklama e sponzorizuar

Analistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar një rritje prej 0.3% krahasuar me tremujorin e kaluar, dhe 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat e së premtes pasuan rritjen tremujore prej 0.1% në tre muajt e parë të vitit dhe një rritje prej 6.2% kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Ky ishte tremujori i gjashtë radhazi me rritje ekonomike për Italinë.

ISTAT tha se sektori i industrisë dhe ai i shërbimeve kishin pasur rritje, ndërsa prodhimi në bujqësi kishte pësuar rënie. “Një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike erdhi nga komponenti i brendshëm, ndërsa komponenti i huaj neto gjeneroi një kontribut negativ”, thuhet në deklaratë.

Italia, ashtu si dhe pjesa tjetër e Europës, po përballet me kushte gjithnjë e më sfiduese ekonomike, pasi pushtimi rus i Ukrainës ka rritur kostot e energjisë dhe pasigurinë për bizneset.

Qeveria rishikoi në prill parashikimin e saj të rritjes ekonomike për vitin 2022, duke e ulur atë në 3.1% nga parashikimi prej 4.7% që ishte bërë shtatorin e kaluar. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi këtë javë që PBB-ja italiane do të rritet me 3.0% këtë vit krahasuar me rritjen mesatare prej 2.6% që do të ketë eurozona.

Megjithatë, duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë politike që po rikthehet në Itali pas rënies javën e kaluar të qeverisë së unitetit kombëtar të kryeministrit Mario Draghi, ekonomia mund të kalojë një periudhë të vështirë përgjatë fundit të vitit 2022. Të dhënat e publikuara në fillim të kësaj jave treguan se morali i bizneseve dhe i konsumatorëve ka rënë në muajin korrik. /Reuters/