Fillojnë pagesat e subvencioneve në bujqësi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar fermerët në vend se ka filluar me  procedimin e pagesave për përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vititn 2022, ku përfshihen shumë kultura bujqësore.

Sipas kësaj ministrie, vlera e proceduar për pagesa të këtyre subvencioneve është 5 milionë e 161 mijë e 966 euro, ndërsa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete deri më tani është 3 mijë e 901.

“Duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për sasinë e dorëzuar të grurit në vlerën 0.03 euro për kilogram, MBPZhR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë e veçantë për të gjithë aplikuesit e grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit duke u bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ 02/2022, pas kësaj date”, thuhet në një njoftim për media nga MBPZhR-së.

Reklama e sponzorizuar

Nga kjo ministri thonë se dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit duhet të dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse deri më datë 02 shtator 2022 në orën 16:00.

Në kuadër të këtij Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022, ministria njofton se kanë aplikuar gjithsej 28 mijë e 834 fermerë. /Buletini Ekonomik/