Gjigandi i naftës, Saudi Aramco arrin rekord fitimesh me 48.4 miliardë dollarë në tremujorin e dytë

Kompania gjigande saudite e naftës, Aramco, ka thyer rekordin e saj të fitimeve duke arritur një shifër prej 48.4 miliardë dollarë për tremujorin e dytë të vitit 2022.

Kjo shifër përbën një rritje vjetore prej 90% dhe shënon fitimet më të larta për eksportuesin më të madh të energjisë në botë, që nga momenti kur kompania u listua në bursë tre vite më parë.

Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që çmimet e naftës dhe të gazit të arrijnë nivele stratosferike.

Reklama e sponzorizuar

Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, por shtetet perëndimore janë zotuar që të reduktojnë varësinë e tyre nga ky vend për nevojat energjetike.

Sipas Bloomberg, shifra e gjigantit saudit të naftës përfaqëson “fitimin më të madh tremujor të çdo kompanie të listuar në bursë”.

Përveç fitimeve rekord, gjigandi shtetëror saudit i energjisë njoftoi se do ta mbante dividentin e pandryshuar, në nivelin e 18.8 miliardë dollarëve, për tremujorin e tretë.

Kompania tha se do të vazhdojë të zgjerohet për të përmbushur kërkesën.

“Teksa paqëndrueshmëria e tregut global dhe pasiguria ekonomike vazhdojnë, ngjarjet që kanë ndodhur gjatë gjysmës së parë të këtij viti mbështesin pikëpamjen tonë se investimet e vazhdueshme në industrinë tonë janë thelbësore si për të ndihmuar në sigurimin e furnizimit të bollshëm të tregjeve, ashtu edhe për të mundësuar një tranzicion të rregullt të energjisë,” tha presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Aramco, Amin Nasser.

“Në fakt, ne presim që kërkesa për naftë do të vazhdojë të rritet përgjatë pjesës tjetër të dekadës, pavarësisht presioneve ekonomike në rënie në parashikimet afatshkurtra globale”, shtoi ai.

Çmimet e naftës ishin duke u rritur edhe përpara luftës në Ukrainë, teksa ekonomitë filluan të rimëkëmbeshin nga pandemia Covid-19 dhe kërkesa tejkaloi ofertën.

Prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, duke përfshirë ExxonMobil, Chevron dhe BP, kanë pasur fitime të mëdha këtë vit, duke shtuar kështu thirrjet ndaj qeverive për të vendosur taksa shtesë, në rrethanat e rritjes alarmante të kostove të jetesës.

Në qershor, presidenti amerikan Joe Biden tha se Exxon kishte fituar “më shumë para se Zoti këtë vit”.

Arabia Saudite është prodhuesi më i madh i naftës në OPEC, një grup që përfaqëson prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.

Javën e kaluar, OPEC+ u dakordësua për të rritur pak prodhimin, në një përpjekje për të ndihmuar në lehtësimin e çmimeve të larta të naftës. Megjithatë, rritja e fundit e prodhimit të naftës do të jetë me një ritëm shumë më të ngadaltë krahasuar me muajt e fundit.

Ky vendim ishte një goditje për liderët botërorë, përfshirë zotin Biden, të cilët kanë bërë thirrje që prodhimi duhet të rritet./ BBC