Heqja e monopolit në tregun e arkave fiskale, mbetet vetëm premtim fushate

Zotimi i ministrit të tanishëm të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, para se të zgjidhej në këtë post, se me ardhjen e tij në pushtet, respektivisht të Vetëvendosjes, do të hiqet “monopoli dhe haraqi” në tregun e arkave fiskale në Kosovë, ka mbetur deri më tani vetëm një premtim fushate. Edhe pse janë bërë 1 vjet e rreth 5 muaj, që nga marrja e detyrës në krye të kësaj ministrie, e cila ka për obligim edhe mbikëqyrjen e këtij sektori, nuk është ndërmarrë as edhe veprimi më i vogël.

Buletini Ekonomik

Ministri i tanishëm i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, para se ta merrte udhëheqjen e kësaj ministrie, në fushatë kishte premtuar dhe ishte zotuar se me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, do t’i vinte fundi ndër tjerash edhe “haraqit dhe monopolit” në tregun e arkave fiskale në vend.

Mirëpo, edhe pse janë bërë rreth 1 vit e disa muaj që nga marrja e pushtetit, kjo ministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

“Harqi i arkave fiskale do të hiqet, sepse shteti duhet të jetë në krah të bizneseve, e jo të vihet në shërbim të grupeve të interesit. Me Lëvizjen Vetëvendosje hiqen monopolet zhvatëse”, kishte qenë zotimi i Muratit në fushatë.

Në fakt, para disa muajve ishte përfolur se kjo ministri është në përgatitje e sipër të një udhëzimi administrativ që do ta rregullontë këtë sektor, mirëpo pastaj sërish ishte heshtur si çështje. Kjo ishte një nismë e paralajmëruar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) së bashku me Ministrinë e Financave, e që kishte për synim heqjen e ‘monopolit’ në tregun e arkave fiskale në Kosovë, dhe rrjedhimisht edhe reflektim në çmimet e larta të këtyre pajisjeve.

Por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Si rrjedhojë, monopoli dhe çmimet ‘bukur’ të larta të PEF-ve, tashmë të njohura për këtë treg, po ‘vazhdojnë’ vit pas viti.

Në Kosovë, aktualisht janë të licencuara katër kompani për Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), të cilat janë: Gekos, Dukagjini, Enternet, dhe Service Global. Çmimet e këtyre pajisjeve variojnë nga 220 euro deri në 4 mijë euro, varësisht prej llojit të pajisjes.

Kështu, një arkë fiskale mobile fillon me çmim prej 220 eurosh, ajo statike deri në 350 euro, kurse printerat fiskal kanë një çmim deri në 550 euro. Ndërkohë, sistemi fiskal për derivate ka një çmim ende më të lartë, duke u tregtuar deri në 4 mijë e 70 euro.

Aktualisht, operatori “Service Global”, është e vetmja kompani që ofron shërbimet e shitjes për printerë fiskal në Kosovë, krahas dy llojeve të arkave fiskale dhe dy llojeve të tjera të sistemeve fiskale për derivate, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjatë vitit të kaluar, si operator i çertifikuar për printerë fiskal kishte qenë edhe kompania tjetër ‘Enternet’ sh.p.k., por në përditësimin e fundit të ATK-së tek lista e të autorizuarve për PEF, kjo kompani nuk figuron më se është e çertifikuar për këtë pajisje.

Megjithatë, në uebfaqen e kësaj kompanie në internet, ende figuron si Pajisje për shitje edhe Printeri Fiskal, ndonëse nuk është e çertifikuar më nga ATK-ja.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) patën pohuar më herët për Buletinin Ekonomik se ndonëse numri i operatorëve ekonomik të Autorizuar për PEF është katër, dy nga operatorët ekzistues nuk kanë arritur ende të çertifikojnë asnjë pajisje fiskale, çka figuron edhe sot në listën e të autorizuarve për PEF në ATK. Bëhet fjalë për kompaninë ‘Gekos’ dhe ‘Dukagjini’. Sipas ATK-së, të dyja këto kompani nuk kanë arritur ende të certifikojnë asnjë model të Pajisjeve Elektronike Fiskale bazuar në legjislacionin në fuqi.

Mirëpo, që të dyjat janë të obliguara të kryejnë mirëmbajtjen dhe servisimin e të gjitha Pajisjeve Elektronike Fiskale që i kanë instaluar vet, dhe që tani janë në përdorim nga tatimpaguesit.

Nisma e ATK-së për heqjen e “monopolit”

Institucioni i Administratës Tatimore të Kosovës, në muajin tetor të vitit të kaluar, pati hapur një konkurs, ku i ftonte kompanitë e reja në këtë treg, që të aplikojnë për t’u autorizuar dhe çertifikuar për Pajisje Elektronike Fiskale. Por, ky konkurs ishte “përmbyllur pa dhënë asnjë rezultat. Si rrjedhojë e kësaj, operatorët ekonomik të autorizuar me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale, kishin mbetur të njëjtit që nga viti i kaluar. Si rezultat i kësaj, edhe monopoli në tregun e pajisjeve fiskale kishte kaluar nga një kompani në kompaninë tjetër, që siç duket, do ‘të vazhdojë’ edhe për një kohë, deri në çertifikimin e pajisjeve të njëjta fiskale nga dy e më shumë operatorë, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga konkursi i hapur në tetor 2021, ATK-ja kishte çertifikuar vetëm një pajisje elektronike fiskale të një operatori ekonomik ekzistues, më konkretisht një lloj të Pajisjes Fiskale për operatorin ‘Service Global’.

Megjithëkëtë, ATK-ja vazhdon ta ripërsërisë njoftimin se secili nga Operatorët Ekonomik e ka të drejtën e plotë që në çdo kohë të çertifikojë lloje të ndryshme të Pajisjeve Fiskale, të cilat i plotësojnë kushtet teknike dhe funksionale, duke shtuar gjithashtu se edhe numri dhe lloji i modeleve të Pajisjeve Elektronike Fiskale që mund të certifikohen në ATK nga operatorët ekonomik (OE), është i pakufizuar.

Reforma fiskale “e përfolur” nga Ministria e Financave për çmimet e pajisjeve fiskale, pa rezultate konkrete

Në fund të vitit 2021, ishte përfolur se edhe Ministria e Financave ishte në përfundim të një procesi reformues për tregun e arkave fiskale në Kosovë, përmes së cilës synohej krijimi i disa lehtësirave për bizneset, si në uljen e çmimit të pajisjeve fiskale, ashtu edhe në procedura.

Siç pati mësuar Buletini Ekonomik, ky proces i reformimit përfshinte ndryshime në dispozitat ligjore aktuale në fuqi dhe gjithashtu pritej që një pjesë të kostos së bizneseve me rastin e pajisjes me arkë fiskale, ta marrë përsipër vet ministria. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga ajo kohë, nga kjo ministri nuk kanë pranuar të përgjigjen në këto konkludime edhe pas insistimeve të shumta të Buletini Ekonomik.

Nga ndryshimet ligjore në këtë udhëzim, Abonimi vjetor për pajisje fiskale parashihej të mbulohet nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një marrëveshjeje me Telekomin e Kosovës, ndërsa koston e kontrollës teknike pritej ta merrte përsipër vet Ministria e Financave. Gjithashtu, me këto ndryshime administrative, parashihej që të largohej edhe ndalesa për bllokimin e pajisjes fiskale me rastin e skadimit të abonimit njëvjeçar të biznesit me kompaninë përkatëse.

Përpos këtyre, me reformat e reja, ishte planifikuar që Administrata Tatimore të kishte rol aktiv në mbikëqyrjen e çmimeve në treg, përkatësisht në parandalimin e abuzimit me çmime të arkave fiskale nga operatorët e licencuar. Buletini Ekonomik ka një vit që është duke provuar vazhdimisht të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave, rreth premtimeve të bëra dhe rreth nismës “legjislative”, për heqjen e monopolit dhe uljen e çmimit të arkave fiskale në vend, mirëpo anjëherë nuk ka marrë përgjigje nga ta.

Çmimet e arkave fiskale kanë mbetur të njëjtat

Sipas ATK-së, në bazë të infomatave që ata kanë, ka pasur ulje të çmimit për disa Pajisje Fiskale, edhe pse thekson se ajo si institucion nuk e përcakton çmimin e pajisjeve fiskale.

“Në bazë të informatave që ne kemi, ka ulje të çmimeve për disa Pajisje Elektronike Fiskale, mirëpo për më shumë lidhur me çmimet, ju lutem drejtohuni te kompanitë përkatëse, pasi që Administrata Tatimore nuk i përcakton çmimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale”, thuhej në disa prej përgjigjeve të mëhershme të ATK-së për Buletinin Ekonomik.

Mirëpo, në interesimin e Buletinit Ekonomik tek kompanitë përkatëse, çmimi i pajisjeve fiskale është i njëjti sikurse ai i vitit të kaluar. Në kompaninë ‘Service Global’, Arka S21 (apo arka mobile) kushton 219 euro, ajo statike 270 euro, ndërsa printeri fiskal 435 euro pa TVSH. Ndërkohë, nëse përfshihet TVSH-ja, abonimi dhe garancioni njëvjeçar nga kjo kompani, atëherë të njëjtat kushtojnë si më poshtë: -Arka S21(arkë mobile) 285 euro, ajo statike (Arka M20) kushton 345 euro dhe Printeri fiskal 540 euro.

Ndërsa për sistemin fiskal të derivateve, çmimi i një pajisjeje të tillë elektronike në këtë kompani është 4 mijë e 71 euro me TVSH, ndërsa pa TVSH -3 mijë e 450 euro. TVSH-ja për këtë pajisje është 621 euro. Në anën tjetër, në kompaninë tjetër që operon në Kosovë, “Enternet”, një arkë fiskale mobile kushton 239 euro+TVSH-ja, ajo statike kushton 299 euro+TVSH, kurse çmimi i printerit fiskal në këtë kompani, që deri në muajin nëntor kishte pasur monopol për këtë pajisje, ndërsa tani nuk e ka të çertifikuar për shitje, është 452 euro+TVSH. Kujtojmë se dyshimet për monopol dhe si pasojë çmimet e larta të arkave fiskale kanë qenë shqetësim i kahmotshëm i bizneseve kosovare. Ato vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Arka fiskale më e lirë në treg fillon nga 220 euro, ndërsa bizneset duhet të paguajnë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin. /Buletini Ekonomik/