LDK i kërkon Qeverisë të pranojë planin 10 pikësh për të dalë nga kriza energjetike

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka bërë thirrje sot Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti që të pranojë planin dhjetë pikësh mbi zgjidhjen e problemit të krizës energjetike me të cilën po përballet vendi.

Në një komunikatë për media, LDK thotë se kriza me energji është pasojë e keq-menaxhimit të Qeverisë dhe qasjes së saj të gabuar duke bërë kështu që vendi të shkojë, siç thuhet, drejt katastrofës energjetike.

“Ende pa u rregulluar Blloku A5, bie Blloku A3, duke bërë kështu që KEK-u të mos prodhojë as gjysmën e kapacitetit të tij, ku 530 MWh janë jashtë prodhimit. Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Qeverisë që të pranojë planin tonë dhjetë pikësh dhe t’i shpëtoj qytetarët, sepse me qasjen e saj të deritanishme po e shpien vendin drejt katastrofës energjetike”, thekson LDK.

Reklama e sponzorizuar

Për më tepër, LDK thotë se duke u bazuar se reduktimet aktuale me energji elektrike po ndodhin gjatë verës, një gjë e tillë do të përkeqësohet edhe më tej me ardhjen e stinës së dimrit.

“Ka kaluar më shumë se një vit nga kriza energjetike, ndërsa Qeveria kishte kohë të mjaftueshme të përgatitej që dimri që po vjen të jetë më lehtë i përballueshëm për qytetarët, mirëpo ajo dështoi në ditët më të nxehta të vitit – ditët e verës, ku konsumi i energjisë është më i ulët”.

Ndryshe plani dhjetë pikësh i prezantuar nga LDK-ja për përballje me krizën energjetike parasheh pagesën e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion euro për çmimin e energjisë elektrike, riparimin e Bllokut A5, krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët, përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë, negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji, zbritja e TVSH-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë, krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset, largimi i tarifave të ZRRE-së, themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri dhe përgatitja e strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative.