Ministria e Bujqësisë (MBPZHR) ka njoftuar sot se në kuadër të Programit për Pagesa Direkte/Subvencione, kjo javë është duke u përmbyllur me gjithsej 12 milionë e 128 mijë e 781 euro pagesa të proceduara për 8 mijë e 806 bujq përfitues.
Këto mjete kanë shkuar për të gjithë ata bujq që kanë plotësuar kriteret për subvencionim për çdo kulturë të mbjellë bujqësore në Kosovë këtë vit.
Sipas një njoftimi për media nga Ministria e Bujqësisë, vetëm gjatë ditës së sotme pritet të procedohen edhe 7 milionë euro tjera subvencione në kuadër të këtij programi për 5 mijë e 715 bujq, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga ministria njoftojnë gjithashtu se për kulturën e grurit, afati i fundit për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, dhe pagesën për këtë sasi, në vlerë prej 0.03 €/kg, MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë të veçantë për të gjithë aplikuesit të kulturës së grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit, bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ Nr.02/2022.
Pra, dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit duhet të dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, po vazhdon shtypjen e vendimeve për të tjerë bujq përfitues dhe në momentin e procedimit për pagesë të listës së rradhës, do iu mbajmë të informuar”, përfundon njoftimi i MBPZHR-së. /Buletini Ekonomik/