Me rikthimin e bllokut B2 në prodhim, Kosova do të ketë plus 260 megavatë-orë rrymë

Foto: Termocentrali Kosova B-KEK

Pritet që në këto dy ditët në vijim, blloku B2 i Kosovës B të rikthehet në funksion dhe me funksionalizimin e këtij blloku, Kosova do të ketë diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike, të prodhuara nga termocentralet tona. Kjo sasi e shtuar e rrymës do të mjaftojë për të furnizuar konsumin veror të Kosovës pa reduktime.

Buletini Ekonomik

Zyrtarë të KEK-ut kanë theksuar sot për Buletinin Ekonomik se të gjitha punët rreth remontit të planifikuar të bllokut B2 të termocentraleve “Kosova B” janë shumë afër përfundimit.

Reklama e sponzorizuar

Pritet që në dy ditët në vijim, kjo njësi e rëndësishme prodhuese e energjisë elektrike në Kosovë, të rikthehet në funksion dhe me funksionalizimin e këtij blloku, Kosova do të ketë diku rreth 260 megavatë-orë rrymë plus, që do të thotë: nga 520 megavatë-orë do të bëhen diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike, të prodhuara nga termocentralet tona. Kjo sasi e shtuar e rrymës do të mjaftojë për të furnizuar konsumin veror të Kosovës, që sillet diku rreth 750 megavatë-orë.

Në këtë mënyrë, sipas zyrtarëve të KEK-ut, pritet që brenda 1-2 ditësh të evitohen reduktimet e rrymës dhe të ketë furnizim pa restriksione ditën dhe natën në mbarë vendin.

Remonti i planifikuar i B2-shit ka nisur saktësisht më 7 gusht, dhe ishte paraparë që punët remontuese në këtë stabiliment të zgjasin diku deri më 27-28 gusht. Siç dihet, blloku B2, sikundër edhe B1-shi, kanë kapacitet të prodhimit në gjenerator nga 300 megavatë-orë, ndërsa kapaciteti i këtyre dy blloqeve në rrjet është saktësisht 260 megavatë-orë. Kjo do të thotë, se pas kthimit të B2-shit në prodhim, që pritet të ndodhë më 27, ose më së largu më 28 gusht, nëse gjithçka shkon sipas planeve, konsumit të Kosovës do t’i shtohen edhe 260 megavatë-orë, ose sasia e rrymës që aktualisht po i mungon konsumit të vendit dhe që si pasojë e kësaj mungese kanë nisur qe disa ditë reduktimet goxha të ashpra, përkatësisht 2 orë pa energji elektrike dhe 6 orë pa të.

Pra, nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur dhe ndonjë defekt teknik i paparashikuar, nga fundi i gushtit do të jenë në prodhim gjithsej katër blloqe të termocentraleve B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 e A4 të Kosovës A, që bashkarisht, do të prodhonin diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike (B1 dhe B2 bashkarisht diku rreth 520 megavatë-orë dhe A3 dhe A4 bashkarisht 240- 260 megavatë-orë), që i bie thuaja se aq sa përafërsisht lëvizë konsumi i Kosovës në ditët verore.

Me këtë sasi që do të ketë në dispozicion Kosova pas rikthimit të B1-shit, duhet shtuar edhe diku rreth 100 megavatë-orë të prodhuara nga stabilimentet te energjisë së rinovueshme. Në muajt në vijim, në remont do të jetë vetëm blloku A5 i Kosovës A, tek i cili do bëhet remonti kapital dhe do të zgjasë diku deri në nëntor të këtij viti. Kjo është gjendja aktuale, e shpërfaqur qartë sidomos pas shkuarjes së përnjëhershme në remont të A5-shit dhe B2-shit, përkatësisht pas ndërprerjes së prodhimit në këto dy stabilimente.

Ndërsa, problemet reale nga mungesa e energjisë elektrike pritet të paraqiten tek në muajt e dimrit, kur rritet ndjeshëm konsumi në vend dhe kur kapacitetet prodhuese të vendit (termocentralet dhe stabilimentet ekzistuese të energjisë së rinovueshme) nuk do të arrijnë të përmbushin nevojat e konsumit.

Në këta muaj të ftohtë dhe në këto rrethana, Kosova nuk ka alternativë tjetër-pos të importojë energji me çmime tepër të shtrenjta, ose të aplikojë reduktime të stërzgjatura.

Prandaj, alternativë e domosdoshme mbetet edhe kursimi sa më shumë i energjisë dhe në të gjitha kohët kur ka mundësi. Shpenzimi sa më racional i rrymës, për çka po insistojnë edhe ekspertët e zhvillimeve energjetike dhe autoritetet kosovare mbetet detyrë dhe obligim i secilit konsumator në ditët dhe muajt në vijim, gjatë sezonit dimror. /Buletini Ekonomik/