Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se pezullimi i pagave për grevistët është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve.
Miftaraj këtë reagim e ka bërë pasi është publikuar një dokument nga Ministria e Financave që planifikon t’ua ndalë pagat punëtorëve grevistë.
“Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, nënkupton se pezullohen detyrimet e punëtorit për të përmbushur obligimet që dalin nga kontrata e punës. Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, në asnjë rrethane nuk nënkupton se pezullohen obligimet e shtetit, apo punëdhënësit në sektorin privat të pezulloj të drejtat e punëtorit në pagë dhe beneficione tjera që rrjedhin nga kontrata e punës, gjate kohës se grevës së ligjshme”, thuhet në reagimin e Miftarajt.
Ai ka shtuar se ky veprim është i papranueshëm dhe se “nuk kalon”.
“Pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtorëve që hyjnë në greve të ligjshme, është cenim i rëndë i të drejtave të punëtoreve, e paparë në një shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social. E papranueshme. Kjo nuk kalon. Masa të menjëhershme ndaj kujdo që ka filluar një iniciativë të tillë”, ka shtuar ai.
Nga sot është duke u mbajtur grevë në sektorin publik, ndërsa mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme nga data 25 gusht për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave. /Telegrafi/