Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ka thënë se çdo tepricë të energjisë elektrike do ta sjellin në Kosovë para se ta dërgojnë për shitje.
Në një lidhje direkte në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo ka thënë se Korporata Energjetike e Shqipërisë ka bashkëpunim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës.
Balluku ka deklaruar se tashmë edhe vendet më të zhvilluara janë duke u përballur me një krizë energjetike dhe se Shqipëria e Kosova nuk përjashtohen nga një krizë e tillë.
“Kosova dhe Shqipëria kanë kohë që bashkëpunojnë në fushën energjetike. Ky është një vit shumë i vështirë sa i përket krizës energjetike. Çmimet kanë arritur rekord të paimagjinueshëm dhe për këtë arsye besoj se nuk ka ndonjë vend në Evropë që gjendet në pozitë të favorshme sa i përket energjisë”, është shprehur ajo.
“Prej kohësh në kemi ndërtuar një marrëdhënie të ndërsjelle. KEK dhe KESH bashkëpunojnë mirë dhe nuk është hera e parë që i gjendemi njëri-tjetrit. Në ditë të vështira Shqipëria është me Kosovën. Ne do të bëjmë më të mirën për vëllezërit tanë, por duke iu përgjigjur edhe kërkesave të Shqipërisë”.
“Çdo tepricë gjatë stinës së dimrit, sigurisht se ne do ta çonim në Kosovë para se ta dërgonim për shitje. Tashmë flitet për një ndihmë humanitare. Kur është puna te Kosova nuk besoj se është ndonjë shqiptar që thotë shiteni dhe mos e dërgoni në Kosovë”.