MINT: Bizneset vendore kanë mundësi të barabartë aplikimi në thirrjet e “Single Market Program”

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur se bizneset dhe organizatat vendore që nga nëntori i vitit të kaluar (2021) kanë pasur mundësi të barabartë me konkurrentët e tjerë nga vendet e tjera të Evropës, që të aplikojnë në thirrjet e programit të Bashkimit Evropian “Single Market Program” apo Programi i Tregut të Përbashkët Evropian.

Sipas MINT-it, me qëllim që bizneset dhe organizatat vendore të përfitojnë sa më shumë nga ky program, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me ekspertët e projektit te BE-së “Mbështetje Kosovës me Programet e Unionit Evropian”, iu ka ofruar mbështetje bizneseve, që nga fillimi i lansimit të programit përkatës përmes sesioneve informuese dhe sqarimeve të nevojshme, sipas tematikave që mbanin thirrjet e këtij programi.

Ndërsa për të nënshkruar kontratat e përfitimeve, nga ministria njoftojnë se nevojitet që marrëveshja bilaterale me Komisionin Evropian të jetë e dakorduar dhe në fuqi, për të cilën aktualisht MINT është duke i negociiuar pozicionet finale.

Reklama e sponzorizuar

Siç thonë ata, në ditët në vijim pritet edhe pajtueshmëria me Komisionin Evropian.

“Rrjedhimisht, në këtë proces të negociimit jemi në hap të njëjtë me vendet e rajonit, pasiqë këto ndryshime kanë ndodhur njësoj si për të gjitha vendet që janë përfituese në këtë program”, thuhet në një njoftim për media nga MINT.

Tutje, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë inkurajon bizneset dhe organizatat vendore të vazhdojnë aplikimin në thirrjet që vazhdimisht hapen nga ky program dhe të vazhdojnë ta kontaktojnë ministrinë për informata dhe mbështetje rreth këtyre programeve.

Ndryshe në muajin nëntor të vitit 2021, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pati njoftuar se Kosova është bërë pjesë e Programit të Tregut të Përbashkët Evropian (Single Market Program).

Përmes këtij programi, iu ishte hapur mundësia kompanive kosovare, përfshirë këtu edhe shoqatat e ndryshme të biznesit, që të aplikojnë dhe në të njëjtën kohë edhe të përfitojnë nga thirrjet që ky program ofron për bizneset evropiane, përcjell Buletini Ekonomik.

Single Market Program apo Programi për Treg të Përbashkët Evropian synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave si dhe përmirësimin e sektorit financiar, bëjnë të ditur tutje nga ministria.

I gjithë Programi i Tregut të Përbashkët pritet të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 bilionë euro për periudhën 2021-2027.

Ky Program i Tregut të Përbashkët (EU Single Market Program), është financim nga Bashkimi Evropian. /Buletini Ekonomik/