Nafta bie me 3% pas presionit të befasishëm të prodhimit të naftës bruto dhe benzinës nga SHBA

Çmimet e naftës ranë me 3% të mërkurën, duke shtuar humbjet pasi të dhënat nga SHBA treguan se rezervat e naftës së papërpunuar dhe të benzinës patën një rritje të papritur javën e kaluar kur OPEC+ tha se do të rriste objektivin e prodhimit të naftës me vetëm 100,000 fuçi në ditë.

Kontratat e së ardhmes për naftën e papërpunuar Brent ranë me 2.90 dollarë, ose 2.9%, duke shkuar në 97.61 dollarë për fuçi. Kontratat  e naftës së papërpunuar të West Texas Intermediate (WTI) ranë me 2,93 dollarë, ose 3,1%, duke shkuar në 91,49 dollarë.

Premiumi për kontratat e së ardhmes Brent për furnizimin për një periudhë gjashtëmujore është në nivelin më të ulët të tre muajve të fundit, duke treguar kështu rënien e shqetësimeve për reduktimin e ofertës. I njëjti premium për kontratat e së ardhmes të WTI iu afrua nivelit më të ulët të katër muajve të fundit.

Reklama e sponzorizuar

Magazinimet e naftës së papërpunuar në SHBA u rritën papritur javën e kaluar, pas rënies së eksporteve dhe reduktimit të përpunimit nga rafineritë, ndërsa stoqet e benzinës gjithashtu patën një rritje të befasishme pas rënies së kërkesës, deklaroi Administrata e Informacionit të Energjisë.

Stoqet e naftës së papërpunuar u rritën me 4.5 milionë fuçi javën e kaluar, krahasuar me parashikimin e analistëve se kjo shifër do të ishte 600,000 fuçi. Stoqet e benzinës u rritën me 200,000 fuçi, kundrejt pritshmërive për një rënie me 1.6 milionë fuçi.

“Sasia e naftës së papërpunuar është shumë më e lartë sesa pritshmëritë. Benzina është një zhgënjim më vete. Asnjëherë nuk duhet të ketë një rritje të benzinës gjatë verës,” tha Bob Yawger, drejtor i kontratave të së ardhmes për energjisë në Mizuho.

Ministrat për Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e kësaj organizate, duke përfshirë Rusinë, të njohur si OPEC+, ranë dakord për një rritje të vogël të objektivit të prodhimit të grupit, e cila është e barabartë me rreth 0.1% të kërkesës globale për naftë.

Prodhimi i naftës nga Algjeria në shtator do të rritet në 1.57 milion fuҫi në ditë, tha ministri i energjisë, Mohamed Arkab, për televizionin shtetëror.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar grupit që të rrisë prodhimin, kapaciteti rezervë mbetet i kufizuar dhe Arabia Saudite mund të hezitojë të rrisë prodhimin duke dëmtuar kështu Rusinë, e cila është goditur nga sanksionet për konfliktin në Ukrainë.

Përpara takimit, OPEC+ reduktoi parashikimin për suficitin e tregut të naftës këtë vit me 200,000 deri në 800,000 fuçi në ditë, thanë tre delegatë për Reuters.

Zyrtarët e lartë iranianë dhe amerikanë thanë se do të udhëtonin për në Vjenë për të rifilluar bisedimet indirekte rreth programit bërthamor të Iranit, duke ringjallur shpresat për heqjen e sanksioneve që pengojnë eksportet e naftës nga Irani. Edhe kjo ngjarje pati ndikim te çmimet e naftës.

Çmimet u ndikuan gjithashtu edhe pasi presidentja e Fed-it të San Franciskos, Mary Daly, paralajmëroi një rritje të normës së interesit me 75 pikë bazë, nëse inflacioni vazhdonte. Presidenti i Richmond Fed, Thomas Barkin, tha gjithashtu se Rezerva Federale ishte e vendosur për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për ta kthyer atë në objektivin e bankës qendrore të SHBA prej 2%.

Indeksi i dollarit amerikan, i cili mat vlerën e monedhës kundrejt gjashtë monedhave të tjera kryesore, pati gjithashtu një rritje, duke ushtruar kështu presion mbi kërkesën dhe duke e bërë naftën më të shtrenjtë për t’u blerë përmes monedhave të tjera. /Reuters/