Nord Stream 1, turbina 12 metra që po kërcënon furnizimin me gaz të Europës

Tubacion i gazit

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, thotë se, për shkak të sanksioneve të Perëndimit, e ka të pamundur të rimarrë në zotërim një turbinë, e cila është jetike për furnizimin me gaz të Europës,.

Turbina 12 metra është bllokuar në Gjermani pasi u kthye nga Kanadaja, ku ishte dërguar për riparime.

Berlini këmbëngul se kjo pajisje nuk preket nga sanksionet dhe akuzon Rusinë që nuk po respekton kontratat e saj për arsye politike.

Reklama e sponzorizuar

Kohët e fundit, Gazprom ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet me gaz drejt Europës.

Gazsjellësi kryesor Nord Stream 1, i cili fillon në Rusi dhe përfundon në Gjermani, po funksionon me 20% të kapacitetit.

Vitin e kaluar, Moska e furnizoi BE-në me 40% të nevojave të saj për gaz natyror. Tashmë, rënia e furnizimeve ka bërë që çmimet e shitjes me shumicë të rriten së tepërmi.

Disa vende e kanë të pamundur të blejnë sasi të mjaftueshme gazi për ta magazinuar për muajt e dimrit, periudhë në të cilën konsumi i gazit është shumë më i lartë.

Të mërkurën, kancelari Scholz bëri një vizitë në fabrikën e Siemens Energy, ku është bllokuar turbina, duke thënë se ajo ishte gati për t’u dërguar në Rusi në çdo kohë.

“Por, dikush duhet të thotë: Dua që ta marr turbinën”, shtoi ai.

Moska thotë se ajo mund ta riinstalojë turbinën, duke rritur kështu furnizimet me gaz, vetëm pasi të ketë dokumente që tregojnë se kjo turbinë nuk është pjesë e sanksioneve të Perëndimit.

Gazprom ka kufizuar në mënyrë të vazhdueshme furnizimet me gaz përmes Nord Stream 1, gazsjellësit kryesor mes Rusisë dhe Gjermanisë:

  • Në qershor, Rusia uli furnizimet deri në 40% të kapacitetit të zakonshëm, duke thënë se riparimet e turbinës në fjalë në Kanada ishin vonuar.
  • I gjithë gazsjellësi u mbyll më pas për 10 ditë përgjatë muajit korrik, si rrjedhojë e nevojës për mirëmbajtje të tubacionit.
  • Pas rihapjes së tij, Gazprom përgjysmoi përsëri furnizimet, duke i ҫuar ato në 20% të kapacitetit të mërkurën e kaluar, për shkak të një problemi teknik me një nga dy turbinat e fundit që janë në gjendje pune.

Brenda një dite nga njoftimi i javës së kaluar nga Rusia, çmimi me shumicë i gazit në Europë u rrit me 10%.

Berlini thotë se nuk ka asnjë arsye teknike që Gazprom të kufizojë furnizimet, ndërsa BE e cilësoi reduktimin e fundit të furnizimeve si “të motivuar politikisht”.

Deri në fund të qershorit, Gjermania importonte 26% të gazit të saj nga Rusia.

Gjermania ka kërkuar furnizime nga vende të tjera, ka planifikuar masa për të reduktuar konsumin e gazit, si dhe ka paralajmëruar qytetarët se faturat e energjisë do të rriten.

Hapja e një tjetër gazsjellësi paralel – Nord Stream 2 – u pezullua nga Gjermania si përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë. /BBC/