Pritet një ligj i ri transformues mbi prodhimin e energjisë së pastër në botë

Turbinat me erë
Një projekt-ligj i ri Klimaterik në SHBA, pritet të transformojë prodhimin e energjisë dhe makinave në botë. Me efekte në gjithë botën, konsumatorët, bizneset dhe mjedisi do të jenë përfituesit kryesorë.
Senati amerikan po bëhet gati të propozojë një marrëveshje prej 369 miliardë dollarësh që do të transformonte mënyrën se si prodhohet energjia dhe funksionon industria e automobilave në gjithë botën.
Nëse ai bëhet ligj, ai do të ofrojë stimuj të fuqishëm për industrinë e energjisë së pastër, do të përshpejtojë tranzicionin nga karburantet fosile dhe do të japë mësime se si të liberalizohen tregjet e energjisë në vende më të vogla si Shqipëria.
Legjislacioni i ri vjen në një kohë kur ngrohja globale – nga fatkeqësitë e motit deri te temperaturat jashtëzakonisht të nxehta – po ndihet seriozisht në mbarë botën.
Propozimi synon të luftojë njëkohësisht ndryshimet klimatike dhe të aktivizojë prodhimin e energjise se gjelbër. Risia e projektligjit është se ai synon të luftojë ndryshimin e klimës përmes stimujve dhe lehtësimit të taksave dhe jo ndëshkimeve, një qasje që bota e biznesit do ta mirëpresë.
Legjislacioni ofron stimuj të rëndësishëm në para drejtpërsëdrejti për konsumatorët – blerësit e automjeteve elektrike, paneleve diellore etj – së bashku me miliarda dollarë për industrinë si prodhuesit e automjeteve, prodhuesit e baterive dhe furnitorët për të ndërtuar ose riorganizuar fabrika.
Ka incenstiva në cash për të ndihmuar konsumatorët të paguajnë për panelet diellore në çati, për karikuesit e automjeteve elektrike dhe për pompat e nxehtësisë me efikasitet të karburantit. Stimujt shtrihen tek prodhuesit e industrisë së energjisë së pastër si dhe tek konsumatorët që do blejnë drejtpërdrejt.
MAKINA ELEKTRIKE MË TË MUNDSHME
Një konsumator mund të marrë deri në $7,500 kreditim tatimor nëse blen një automjet të ri elektrik.
Por krediti vlen edhe për makinat e përdorura. Për herë të parë, makinat e përdorura me bateri do të kualifikohen për një ulje tatimore deri në $4,000 dollarë. Kjo është e rëndësishme sepse shumica e njerëzve blejnë makina të përdorura, jo të reja.
MBËSHTETJE PËR ENERGJINË E RINOVUESHME
Projektligji synon të përshpejtojë përpjekjet për të kaluar në burime më të pastra të energjisë dhe zhvillimin e teknologjive të reja për të lehtësuar barrën e çmimeve të larta mbi konsumatorët.
Deri në 80% të SHBA-së ose 103 milionë familje do të kursenin para çdo muaj, gjithsej 37 miliardë dollarë në vit, vetëm duke kaluar në furrat elektrike dhe ngrohësit e ujit, të cilat do të kualifikoheshin për lehtësira të reja tatimore sipas faturës së klimës.
Stimujt për familjet, industrinë dhe mjedisin, do jenë të ndjeshme thonë ekspertët. Kreditet fiskale shihen si një nga mënyrat më pak të shtrenjta për të reduktuar emetimet e karbonit. Përfitimet janë katërfishi i kostos së tyre, sipas llogaritjeve nga Instituti i Politikave të Energjisë në Universitetin e Çikagos.
PASOJAT E POLITIKËS NË TË GJITHË BOTËN
Legjislacioni i ri do të ushtrojë presion ndaj politikëbërësve në mbarë botën për të përqafuar standarde më agresive të energjisë së rinovueshme.
Vende si Shqipëria do të duhet të përshpejtojnë reformën për të liberalizuar tregjet e energjisë, duke vendosur të gjithë furnizimin me energji në shkëmbimet rajonale të energjisë. Kjo do të kishte përfitimet e uljes së çmimeve të energjisë për konsumatorët shqiptarë – veçanërisht në dritën e luftës në Ukrainë.
Por Shqipëria duhet të liberalizojë edhe grumbullimin e burimeve të pastra të energjisë duke lidhur konsumatorët dhe bizneset e vogla me rrjetin kryesor shtetëror elektrik. Kjo do të rriste furnizimin me energji në dispozicion dhe do të ulte çmimet e përgjithshme të energjisë.
Shqipëria duhet të sigurojë gjithashtu kredi tatimore direkte për konsumatorët dhe bizneset e vogla për adoptimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Qeveria duhet t’i japë përparësi programeve të tilla si BERZH dhe IFC – që janë aktive në zonën rajonale të Ballkanit Perëndimor – por që nuk janë ende të disponueshme në Shqipëri.
Legjislacioni për Energjinë e Pastër po bëhet realitet. Në dritën e luftës në Ukrainë dhe rritjes së inflacionit, vendet do të kenë një avantazh të trefishtë për të vepruar: të ulin çmimet e energjisë konsumatore, të kursejnë mjedisin dhe t’i kalojnë disa kredi konsumatorit dhe bizneseve për modernizimin e prodhimit.
Politikëbërësit duhet të veprojnë tani, jo vetëm për të përmbushur detyrimet e tyre mjedisore ndërkombëtare, por më e rëndësishmja për të mbrojtur konsumatorët nga rreziqet e inflacionit.
*President i Dhomës Amerikane