Pse nuk po nisë remonti në bllokun A5 të “Kosovës A”?

Termocentrali "Kosova A"

Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do ta riparonte këtë njësi, u bë më 10 qershor të këtij viti. Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-shin, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro. Njohësit e zhvillimeve energjetike, mendojnë se mbase fakti që në ftesën publike janë kërkuar punëkryes që do të bënin remontin e tërësishëm të këtij blloku, pra edhe remontin e turbinës, edhe të kalldajës edhe të stabilimeteve të tjera më pak komplekse, ka ndikuar në mosshfaqjen e interesimit të për t’u angazhuar në këtë remont. Tani KEK po kërkon punëkryes ndërkombëtar veç për remontin e turbines, e të tjerë për kalldajën.

Mehmet GJATA

Blloku A5 i termocentraleve “Kosova A” është jashtë funksionit që nga 19 korriku i këtij viti. Te kjo njësi prodhuese me kapacitet rreth 150 megavatë-orë energji elektrike në gjenerator dhe me fuqi në rrjet diku rreth 130 megavatë-orë është paraparë të bëhet remonti kapital, ai i përgjithshmi dhe që është më i detajuar dhe më kompleks.

Me remontin kapital të një blloku të termocentraleve nënkuptohet remonti dhe rehabilitimi i turbinës dhe i kazanit si dhe i shumë stabilimenteve të tjera. Si i tiilë, parashihet të zgjasë goxha kohë më shumë se sa remontet e planifikuara të rëndomta vjetore. Në fakt, te blloku A5, në bazë të planifikimeve të mëhershme që bëhen në KEK për mirëmbajtjen e stabilimenteve dhe për rehabilitimin e tyre, ishte paraparë të bëhet remonti kapital që në muajt e verës të vitit 2021.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, meqenëse më 2021, Qeveria aktuale kishte shpërfaqur edhe publikisht synimin për t’i rindërtuar tërësisht tri blloqet e termocentraleve “Kosova A” (bllokun A3, A4 dhe A5), pas analizave të ekipeve profesioniste të KEK-ut dhe sugjerimeve të ekspertëve, që meqenëse është paraparë si vizion rindërtimi i Kosovës A, pra edhe i bllokut A5, ishte vendosur me qëllim të racionalizimit të mjeteve financiare, që A5-shi të presë rindërtimin. Ishte rezonuar atëbotë në qarqet profesioniste dhe vendimmarrëse të KEK-ut se pse të shpenzohen para jo të pakta për remont kapital të A5-shit, kur Qeveria ka parashikuar rindërtimin e tërësishëm të këtij blloku. Thjesht, pse të shpenzohen dy herë para të mëdha për një qëllim. Dhe, meqenëse parashikimi i Qeverisë për të rindërtuar Kosovën A, më 2021 thuaja se “ra në ujë”, edhe rindërtimi i A5-shit si vizion thuajse u zbehë tërësisht, madje edhe u harrua si parashikim.

Në këtë mënyrë, në KEK kushtimisht iu rikthyen nevojës së domosdoshme për ta bërë remontin kapital në këtë njësi prodhuese. Por, punët për këtë remont, u prolonguan për vitin vijues, pra për 2022-shin, për çka në KEK tani kishin shpallur tender publik për të gjetur punëkryesin më të favorshëm. Por pse po vonohet nisja e punëve për remontin e këtij blloku në këtë vit, kur Kosovës po i nevojitet tepër shumë sasia e energjisë elektrike dhe kur dihet se ky bllok është tërhequr nga prodhimi që më 19 korrik.

Më konkretisht, pse nuk kanë filluar akoma punët për revitalizimin kapital të A5-shit akoma, ndonëse ndodhemi në prag të shtatorit dhe muajve të ftohtë vijues? Pse këto vonesa, aq më parë kur dihet se puna me përmasa kaq komplekse të remontit kapital merrë goxha koha derisa të përmbyllet, përkatësisht për rivitalizimin kapital të një blloku nevojiten rëndom 3 deri në 4 muaj kohë!

Inxhinierët në KEK, edhe ata me përvojë më të paktë, por edhe veteranët tashmë, kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik shkaqet, sipas tyre, reale, për vonesat e nisjes së punëve për rivitalizimin e A5-shit. Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti.

“Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të Bllokut A5”, titullohej tenderi, ku ishin paraparë në një vend riparimi i turbinës dhe kalldajës (kazanit). Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-sh, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro.

Njohësit e zhvillimeve energjetike, mendojnë se mbase fakti që në ftesën publike janë kërkuar punëkryes që do të bënin remontin e tërësishëm të këtij blloku, pra edhe remontin e turbinës, edhe të kalldajës dhe të stabilimenteve të tjera më pak komplekse, ka ndikuar në mosinteresimin e punëkryesve për të shfaqur interesim për t’u angazhuar në këtë remont.

Dihet, remonti kapital në stabilimentet e termocentraleve të Kosovës, si në Kosovën A, ashtu edhe në Kosovën B, iu është besuar deri më tash ekskluzivisht kompanive të jashtme, më së shumti atyre polake që kanë përvojë të madhe në stabilimentet prodhuese të rrymës në bazë të qymyrit, por edhe kompanive të tjera të shumta nga bota, që kanë reputacion, dëshmi dhe besueshmëri që punën e bëjnë siç duhet. Në këtë mënyrë, KEK-u në njëfarë mënyre edhe i kushtëzuar, më 8 korrik 2022, ka njoftuar për anulimin e këtij tenderi thjeshtë, për shkakun se siç është thënë “për riparimin e njësisë A5 nuk është pranuar asnjë ofertë”.

Dhe, për të shpejtuar gjetjen e një punëkryesi të besueshëm dhe të dëshmuar për remontin e detajuar të A5-shit, tani KEK-u ka ndarë punët, për remontin e turbinës ka vendosur të kërkojë punëkryes të veçantë, ndërsa për remontin e kalldajës, punëkryes tjetër të specializuar.

Tashmë për remontin e turbinës dhe kalldajës veç e veç ka dërguar nga 5-6 ftesa te punëkryesit me reputacion, të njohur tashmë për këto punë anembanë Eurpës dhe më larg. Po priten ofertat e tyre, dhe inxhinierët e KEK-ut kanë besim se brenda 10-15 ditësh do të vendoset se kujt do t’i besohet remonti kapital në turbinë dhe kujt në kalldajën e bllokut A5.

Nëse punët remontuese, pastaj nisin, në shtaor, pritet që diku në dhjetor të rikthehet në prodhim blloku A5 i termocentraleve “Kosova A”, i rivitalizuar tërësisht. Me kthimin e tij, Kosova do të ketë plus 130-140 megavatë-orë energji elektrike, që do të thotë kapacitetet prodhuese (termocentralet A dhe B me 5 blloqet e tyre si dhe kapacitetet gjeneruese të energjisë së ripërtëritshme që janë diku rreth 200 megavat—orë) do të prodhonin bashkarisht diku rreth 1.100 -1.200 megavatë-orë. Kjo, pak a shumë është gjendja reale teknike dhe prodhuese në kapacitetet gjeneruese të energjisë elektrike në vend.

Ndërkohë, subjektet politike opozitare, vazhdojnë të akuzojnë KEK-un dhe Qeverinë aktuale për prolongimin e nisjes së punëve të remonit kapital në njësinë A5 të termocentraleve “Kosova B”. LDK-ja madje këto ditë, përmes komunikatave të shpërndara për medie i kërkon prokurorisë, të nisë hetimet, siç thuhet në komunikatë, “mbi procesin e vonuar tenderues; dhe ndërhyrjet eventuale në terma të referencës – që përfundimisht kanë shkaktuar vonesat e riparimit me kohë”.

Sipas LDK-së, blloku A5 i Termocentralit Kosova A, me kapacitet 130 megavatë për orë, ishte paraparë të bënte remontin kapital para qershorit të vitit 2022. Ndonëse ndodhemi në prag të shtatorit dhe muajve të ftohtë vijues, remonti kapital – që rëndom merr katër muaj kohë për përfundim – as nuk ka nisur e as nuk është procesuar për kontraktim.

Sipas këtij subjekti politik, “ndërhyrjet e pazakonta në tenderim të këtij remonti, kanë bërë që procesi të dështojë me kohë. Në kohën kur çmimi i një megavati energji arrin në mbi 600 euro për orë, Kosova humbet dhjetëra miliona euro, duke mos prodhuar plot 130 MWh energji elektrike për çdo orë. Dhe me kohën e nevojshme, pra katër mujore – për remont kapital, Kosova do të futet në dimër me 130 MWh energji elektrike më pak”. Kjo papërgjegjësi menaxhuese, sipas LDK-së, “ndonëse me paralajmërim për krizë me kohë, duhet të marrë përgjegjësinë e merituar, nga shkarkimi i Bordit të Qeverisë në KEK e deri tek përgjegjësia institucionale në Qeverinë e Kosovës”.

LDK i kërkon po ashtu prokurorisë të nisë hetimet mbi procesin e vonuar tenderues dhe ndërhyrjet eventuale në terma të referencës – që përfundimisht kanë shkaktuar vonesat e riparimit me kohë.

Sidoqoftë, në ditët në vijim do të dihet më saktësisht kur dhe kush do të nisë punët rreth remontit kapital në A5-shin. Nëse, punët remontuese do të përmbylleshin në dhjetor, 130 megavatë-orët që do t’i shtoheshin konsumit të rritur kosovar në muajt e dimrit, do të ishin një ndihmesë e madhe, si për shtetin, që do të kursente goxha para për importin e kushtëzuar të rrymës, por edhe për konsumatorët, që domosdo do të kishin më pak reduktime gjatë janarit, shkurtit e marsit. /Buletini Ekonomik/