Radha e Termokosit për lajme të këqija: Dimrit do të ketë reduktime të ngrohjes

Edhe Ngrohtorja e Kryeqytetit “Termokos”, ka lajme të këqija.

Zyrtarë të kompanisë publike, tashmë kanë dhënë paralajmërimet se ngrohtorja gjatë dimrit mund të aplikojë reduktime, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Zëdhënësja e ngrohtores “Termokos”, Afërdita Uka ka thënë se kjo ngrohtore varet kryekëput nga KEK-u.

Reklama e sponzorizuar

Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ajo ka sqaruar se pajisjet e ngrohjes nëpër bodrumet e objekteve punojnë me energji elektrike e që nënkupton se në ndaljen e rrymës edhe ato do të pushojnë së punuari.

“Varemi kryekëput nga mundësitë e KEK-ut për të na furnizuar avullin. Që nga viti 2014 kemi furnizuar me ngrohje të mjaftueshme konsumatorët pa ndonjë ditë ndërprerje, me ndonjë përjashtim të rrallë”.

“Duhet ta dinë konsumatorët se meqë jemi të varur nga KEK-u, do të jemi të varur edhe nga reduktimet që do të kenë ata në orarin e furnizimin me energji elektrike për konsumatorët tanë. Në rastet kur termocentrali Kosova B do të na ofrojë avullin që marrim prej tyre për të furnizuar me ngrohje konsumatorët, kjo nuk do jetë e mjaftueshme në ato objekte banesore ku do ketë reduktime të energjisë pasi të gjitha pajisjet në stacionet ngrohëse nëpër bodrumet e objekteve punojnë me energji elektrike”, tha Uka.

Megjithatë, Uka u shpreh optimiste se reduktimet pak orëshe nuk do të jenë problem i madh për qytetarët që ngrohen nga “Termokosi”.

“Shpresojmë se do kemi dimër pak më të lehtë se që po parashikohet ngase nëse ne furnizojmë me ngrohje për 24 orë me radhë pa ndërprerje dhe ato reduktime 2-3 orëshe qoftë nëse një ambient i brendshëm banesor ngrohet mjaftueshëm, besojmë se ajo energji termike që është akumuluar brenda objekteve banore do mjaftojë që ta përballojnë të ftohtin deri në rikthimin e furnizimin me energji”.